Taravari: Zaev personalisht i ka ofruar para deputetes tonë për të kaluar tek ata

Qeveria nuk ka 61 deputetë, thotë kryetari i Gostivarit dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Në një intervistë për Sitel, Taravari tha se grupi i Aleancës është kompakt, ndonëse është sekret publik që qeveria shëtit me valixhe me para që u ofron deputetëve.

“U jep një shumë parash për të shkuar tek ata, por grupi ynë është kompakt. Deputetët tanë e dinë se synimi ynë është nesër më i mirë për të gjithë dhe jo të jemi pjesë e një qeverie të korruptuar”, tha Taravari, duke konfirmuar se Zaev personalisht i kishte ofruar para deputetes së Aleancës, por ajo kishte refuzuar.

“Ai personalisht i ka ofruar para deputetes tonë, por ajo ka refuzuar menjëherë, madje nuk ka dashur të flasë me të për këtë. I kanë telefonuar edhe miqtë e kryeministrit dhe persona të tjerë, por ajo nuk pranoi”, tha Taravari, pa treguar se për sa para bëhet fjalë.

Ai tha se rasti nuk ishte raportuar sepse askush në vend nuk besonte në sistem.

“Në gjendje jonormale, gjëra të tilla janë standarde”, tha Taravari duke iu referuar zhdukjes së Kastriot Rexhepit.

“Kush ishte i qetë vetëm ju e dini, kryeministri, ministri i Brendshëm dhe BDI. Sepse kështu është normale që një ditë të zhduket një deputet. Ky është një shtet cirku”, tha Taravari.

“Për këtë qeveri dihen afera kriminale pa asnjë bisedë të përgjuar. Nuk keni nevojë për biseda, kjo shihet nga të gjitha anët. Nuk dihet se ku i ka marrë Boki 13 një milionë e gjysmë euro. Në Mavrovkë po ndërtohej një objekt, nuk dihej se kush ishte pronari, kështu që për dy muaj pyetej se kush duhej ta rrënonte atë objekt dhe në fund Ali Ahmeti shkonte atje dhe pinte kafe”, tha më tej Taravari. FLAKA