Taravari: Zgjedhje në fund të korrikut ose në fillim të gushtit

Advertisment

Për të mirën e qytetarëve, më së miri është që zgjedhjet të mbahen në fund të korrikut ose në fillim të gushtit. Me qëndrim të tillë, Alenaca për Shqiptarët do të shkojë në takimin e nesërm të liderëve te presidenti Stevo Pendarovski, tha sonte sekretari i përgjithshëm i partisë dhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Për Aleancën, datë e pranueshme për zgjedhje është fundi i korrikut ose fillimi i gushtit. Këtë vit rrallë dikush do të shkojë jashtë vendit në pushime, madje edhe vendet turistike do të jenë të kufizuara me numra. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje të përbashkët, pasi propozimi i LSDM-së nuk është korrekt, sepse Bashkimi Evropian pas 15 qershorit i hap kufijtë. Kjo nuk do të jetë korrekt ndaj qytetarëve, të cilët punojnë në vendet e huaja dhe nuk do të mund të vijnë të votojnë”, tha Taravari në emisionin Studio e hapur në TV24.

Reklame

Për Aleancën për Shqiptarët, potencoi ai, nuk është problem të shkohet në zgjedhje edhe për 10 ditë, por, shtoi, për shkak të koronavirusit vlerësojmë se zgjedhje dhe fushatë duhet të ketë në periudhën kur ka temperatura më të larta, respektivisht në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.

“Nëse organizohet fushatë, kjo do të thotë hapje e vatrës së re dhe valës së re, e cila do të jetë më e keqe”, tha Taravari dhe si shembull e përmendi Francën, ku, siç theksoi, shumë veta janë infektuar në zgjedhjet në fillim të epidemisë, e shumë prej tyre edhe kanë vdekur.

Sipas tij, testimi te pacientët për praninë e koronavirusit është i vogël dhe mendon se kjo është bërë me qëllim, pasi, siç theksoi, disi po shpejtohet me shkuarje në zgjedhje.

Taravari vlerëson se xhamitë duhet të hapen pasi do të jepen rekomandime të caktuara dhe protokolle se si të sillen qytetarët, por shtoi se ai nesër nuk do të shkojë në xhami.

“Në fillim të pandemisë duhej të ishim restriktivë, e tani duhet të kthehemi në normalitet dhe duhet të jetojmë me virusin. Autoritetet madje edhe e teprojnë me kufizimet, ndërsa Maqedonia dhe Shqipëria janë mes vendeve me kufizime më të ashpra”, potencoi Taravari./MIA/