Të dielën mbi 136 mijë raste, OBSH-ja kërkon që shtetet mos të relaksohen

Advertisment

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar të hënën nga vendet që të vazhdojnë përpjekjet për të ndalur përhapjen e koronavirusit, duke theksuar se pandemia është përkeqësuar në nivel global dhe se nuk ka arritur ende kulmin në Amerikën Qendrore.

Më shumë se 136 mijë raste janë raportuar në botë të dielën, që është numri më i lartë brenda një dite deri më tani. Kështu ka thënë drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, raporton Reuters.

Reklame

“Më shumë se gjashtë muaj në pandemi, nuk është koha për asnjë vend që të heq këmbën nga pedali”, ka thënë i pari i OBSH-së.

Në përgjigje të një pyetje për Kinën, eksperti kryesor i OBSH-së për emergjenca, Mike Ryan, ka thënë se studimet retrospektive për atë se si është trajtuar shpërthimi, mund të presin.

“Ne duhet të përqendrohemi tani në atë që po bëjmë sot për të parandaluar shpërthimin e dytë”, ka shtuar ai.

Ryan po ashtu ka thënë se infeksioni në Amerikën Qendrore, duke përfshirë Guatemalën, është duke u rritur dhe se bëhet fjalë për epidemi komplekse.

“Mendoj se është koha për brengosje të madhe”, ka thënë Ryan, duke bërë thirrje për udhëheqje të fuqishme dhe ndihmë ndërkombëtare për regjionin.

Brazili aktualisht është prej vendeve më të goditura , me numrin e dytë më të madh të rasteve të konfirmuara. Më shumë raste ka vetëm SHBA-ja.

Më shumë se shtatë milionë njerëz janë raportuar të infektuar nga COVID-19 dhe mbi 400 mijë njerëz kanë vdekur deri më tani në botë.

“Kjo është larg prej fundit”, ka thënë Maria van Kerkhove, epidemiologe e OBSH-së.