Të riatdhesuarit testohen për Covid-19! Paguajnë nga 60 euro, nëse dalin negativ do të shkojnë në izolim shtëpiak (VIDEO)

Të riatdhesuarit nga Italia që dje u kthyen në vendlindje, por nuk kishin testin PCR për koronavirus, sot u testuan në karantinën shtetërore ku u vendosën.

“Ka një orë që ka ardhur ‘Sistina’ këtu dhe është duke kryer testimet PCR, që bëhet në hundë dhe fyt, dhe na premtuan që më së shumti deri nesër në mëngjes do të dalin rezultatet dhe kush është negativ, shkon në izolim shtëpiak, kush është pozitiv duhet të jetë në izolim shtetërore, karantinë shtetërore”, tha Xhafer Alili, i riatdhesuar, në karantinë.

Reklame

Të karantinuarit na treguan se sot përmes e-mailit kanë marrë rezultatet e testeve PCR të bëra në Itali por s’kishin arritur të presin për t’i marrë. Nga ana tjetër, ka pasur edhe nga ata që aspak nuk kanë qenë të testuar.

“Ne që nuk kemi bërë testet aspak në Itali, as teste PCR as teste të gjakut, pra do të testohemi këtu. Na kanë bërë testet ku kemi qenë 23 persona që nuk i kemi bërë testet aspak në Itali dhe këtu erdhën ata dhe na i bënë testet dhe kemi paguar nga 60 euro kështu që presim rezultatet maksimumi deri nesër në mesditë”, tha Shehadin Ajruli, i riatdhesuar, në karantinë.

Këto informacione për TV21 i konfirmon edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani. Vendimi i fundit i qeverisë thotë se gjithkush që dëshiron të dalë nga karantina shtetërore dhe të shkojë në izolim shtëpiak, duhet që me vetëfinancim të paguajnë testimin PCR dhe nëse dalin negativ shkojnë në izolim shtëpiak.

“Vendimi është, shpenzimet e hotelit i paguan shteti. Nëse ata nuk duan të qëndrojnë në hotel, por duan të shkojnë në shtëpi, atëherë testimin duhet ta bëjnë qytetarët, sepse Instituti për shëndet Publik nuk ka kapacitet të bëjë testime edhe për ata që janë në karantinë”, tha zëvednëskryeministri Bujar Osmani.

Me 4 autobusë dje nga Italia në Maqedoni u riatdhesuan rreth 160 persona. Rreth 15 prej tyre kishin testin ‘PCR’, të cilin e kërkon vendi ynë si dëshmi se s’janë të infektuar me koronavirus. Një pjesë kishin vetëm teste të gjakut, andaj pas një debati në pikë kalimin kufitar ku mbetën të bllokuar, udhëtarët dhe autoritetet u dakorduan që të hyjnë në karantinë shtetërore, aty t’u bëhet testi PCR e më pas nëse dalin negativ, të lirohen në izolim shtëpiak.