Tensione në një ambulancë në Butel, është sjellë një person i vdekur, me orë të tëra i janë bërë testime për Koronavirus (VIDEO)

Me orë të tëra të punësuarit në një ambulancë private në komunën e Butelit kanë pritur që të dërgohen ekipe nga Instituti për shëndet publik që të marrin mostra pasi në këtë institucion shëndetësor është sjellë një person i pa jetë.

TV21 e pyeti pronarin e ambulancës se çka ka ndodhur, por ai nuk deshi të jepte deklaratë para kamerës. Megjithatë na shpjegoi se menjëherë ka kërkuar ekipe që të bëhen kontrolle nëse ai ka pasur koronavirus, por prej atje i kanë thënë se personi tashmë është i vdekur dhe prandaj nuk ka nevojë që të vijnë. Ministri i shëndetësisë Filipçe tha se të njëjtat rregulla vlejnë edhe për persona të vdekur dhe se ata duhet të testohen.

Absolutisht nuk bëhet testim vetëm në bazë të anamnezës, ja, mund edhe nga anëtarë të familjes, nëse bëhet fjalë për rastin në fjalë dhe në bazë të asaj ankete epidemiologjike, për të cilën të dhëna mund të japin edhe anëtar të familjes. Në kuptim të testimit të personave të vdekur vlen postmortum, vlejnë të njëjtat rregulla, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Trupi i pajetë në Ambulancë ishte sjellë në orën 12:30. Kështu kanë shkruar mjekët dhe infermieret të cilët menjëherë kanë intervenuar, por ishte vonë. Pacienti ka qenë në moshën 65-vjeçare dhe nuk jepte shenja jete, shkruan në deklaratë. Atë e kanë sjellë fqinjët, sepse siç na thanë, i biri i tij ka qenë në Manastir, kurse familjarët e tjerë ndodheshin jashtë vendit.

Kur ekipi i TV21 arriti, pronari i Ambulancës ishte i shqetësuar dhe insistonte që i ndjeri të testohet, duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme me koronavirusin, sidomos për shkak se stafi mjekësor dhe fqinjët e pacientit kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me të. Përveç policisë dhe disa mjekë, askush nuk lejohej brenda. Ambulanca ishte mbyllur, kurse pronari tha se nuk do të pranojnë pacientë të tjerë, derisa të mësohet nëse i ndjeri ka pasur koronavirus. Ai tha se nëse Instituti për Shëndet Publik nuk pranon ta testojë personin e ndjerë, atëherë do të kërkojë testim privat. Ndryshe, sipas fjalëve të fqinjëve, i ndjeri ka pasur astmë kronike, kurse së fundmi edhe ka kollitur shumë.