Tërmeti i 26 nëntorit, 100 familje në protestë

Advertisment

Rreth 100 familje të dy pallateve me 13 kate pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, në Durrës ndodhen në udhëkryq, pasi nuk dinë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre.

Me tërmetin e 26 nëntorit, dy pallatet u konstatuan të pabanueshme. Banorët dolën në proteste për t’i kërkuar Bashkisë kryerjen e një ekspertize të thelluar dhe një përgjigje zyrtare për rindërtimin e objekteve.

Reklame

Në përgjigje të interesimit të Top Channel për shqetësimin e banorëve të dy pallateve të firmës ”Rekon”, Bashkia Durrës sqaron se pallati ka pësuar anim, është kërkuar ekspertizë e thelluar, ndërsa tjetri do të vlerësohet në vijim.

Ndërkohë e ngjashme paraqitet situata edhe në lagjen numër 18 në qytetin e Durrësit.

Banorët kanë protestuar këtë të diel, pasi prej dy muajsh presin ekipin e Institutit të Ndërtimit që të kryejë ekspertizën e thelluar, ndërsa ndërtuesi nuk u përgjigjet.

”Nuk po marrim asnjë informacion. I bëjmë mesazhe pronarit nuk na përgjigjet. Jemi me fëmijë të vegjël nëpër rrugë. As rrobat e trupit nuk i kemi marrë. Pronari thotë që s’kam lekë për ta bërë. Jemi pa shpi, pa katandi”, thonë banorët.

Gjatë protestës së të dielës banorët janë shfaqur të irrituar.

”Nuk rrimë më urtë. Pallati është çarë mes për mes dhe është anuar. Është gërmadhë brenda. Duam të dimë ç’do të ndodhë,” thonë ata.

Në mungesë të informacionit zyrtar, të dëmtuarit nga tërmeti kërkojnë të dinë mbi atë që po ndodh e do të ndodhë me banesat e tyre.