Tetova tre ditë pa ujë të pijshëm si pasojë e reshjeve të shiut

Reshjet e shiut që kapluan vendin tonë ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës. Si pasojë e reshjeve të shiut, për pesë herë është rritur niveli i ujit në burime dhe kjo ka bërë që uji të jetë i turbullt.

Në ndërkohë, për pasojë kjo ka bërë që tërë qyteti i Tetovës të mbetet pa ujë të pijshëm për shkak se uji nuk i plotëson parametrat mikrobiologjik. Tashmë dy ditë, qytetarët e Tetovës janë pa ujë të pijshëm për shkak se i njëjti është ndaluar nga ana e Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë.

Reklame

“Analizat që i kemi bërë tregojnë se gjendja e ujit është duke u përmirësuar për dallim nga një ditë më parë, por mbetet në fuqi ndalesa që uji të jetë i pijshëm”, deklaroi Ratko Davidovski, mjek në Institutin për Shëndet Publik në Tetovë. Sipas tij, analizat e sakta priten të dalin gjatë ditëve në vijim dhe qytetarët do të njoftohen se a mund të konsumohet apo jo uji.

Ai shfaqi shpresë se shumë shpejtë kjo situatë do të tejkalohet ngase uji ka klor të mjaftueshëm, por për momentin  qytetarët nuk duhet të konsumojnë ujin nga çezmat e tyre. Sipas informacioneve, sistemi që grumbullon ujë nga lumi i Leshnicës, tashmë pesë ditë është jashtë funksionit, për shkak të ujit të turbullt, ngase filter stacioni që u ndërtua para disa vitesh nuk pranon ujë jo të pastër.

 

Po ashtu, problem me ujin e pijshëm janë shfaqur edhe në rajonin e Komunës së Gostivarit. “Për shkak të reshjeve intensive gjatë këtyre ditëve, ka ardhur deri tek ndotja e ujit në burimin e lumit Vardar dhe për pasojë, uji në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit është i ndotur dhe nuk guxon të përdoret për pije”, njoftojnë nga Komuna e Gostivarit.

Ndryshe, nga Komuna e Tetovës njoftojnë se pas reshjeve të mëdha të shiut në rajonin e komunës, erdhi deri në rritje të konsiderueshme të nivelit të lumenjve dhe ujërave, që në disa vende jashtë qytetit kanë shkaktuar edhe vërshime dhe janë dëmtuar sipërfaqet e mbjella bujqësore në atarin e fshatit Falisht të Komunës së Tetovës.

“Në lumin në Reçicë të Madhe në punë janë kyçur edhe banorët e fshatit, si dhe kompani lokale që me vetiniciative kanë angazhuar makineri për të parandaluar një vërshim të mundshëm të lumit brenda dhe në dalje të fshatit. Si pasojë e reshjeve ka ardhur edhe deri te shembja e dheut në rrugën lokale Brodec Veshallë, e cila është e kalueshme por komunikacioni zhvillohet me vështirësi”, bëjnë të ditur nga Komuna e Tetovës. (Urim Hasipi Koha)