Tetovarët vazhdimisht kanë probleme me ujin e pijshëm, reagon Aleanca për shqiptarët

Për problemin me ujin e pijshëm në Tetovë, ka reaguar dega e Alenacës për Shqiptarët në Tetovë. Kryetari i saj, Muzafer Etemi ka vlerësuar se sipas tyre, dëmi është shkaktuar nga hidrocentralet në malin Sharr.

Ka shtuar se uji i pijshëm nuk është problem vetëm këto 6 ditë, por vazhdimisht.

“Tetova dhe qytetarët saj për të shtatën ditë me rradhë janë pa ujë, pa gjënë më kryesore të mbijetesës sonë! Qytetarët e Tetovës nuk kanë ujë për pije, e as për higjienë personale në kohë pandemie. Dështimet e kësaj administrate komunale e kanë shndërruar Tetovën si një qytet mesjetar, ku çdo tetovar kryefjalë të ditës e ka mungesën e ujit.

 

Udhëheqësia e Komunës se Tetovës ka dështuar të veprojë në mënyrë efektive dhe në kohë të duhur për të sanuar një difekt që po i lë tetovarët pa ujë.

Në bazë të informacioneve tona, ky problem është shkaktuar diku në Malësinë e Tetovës, ndërmjet fshatit Bozofcë dhe Leshnices, ku ka patur rrëshqitje (erozion) toke, me çka eshte dëmtuar ujësjellsi që furnizon qytetin e Tetovës me ujë.

Erozionet e këtilla shkaktohen si pasojë e hapjes së rrugëve që çojnë drejt hidrocentraleve të shumta private të oligarkëve të afërt me pushtetin e që po ndërtohen kudo duke shkatërruar bjeshkë e male, bashkë dhe gjithë ekosistemin dhe bukuritë e Malit Sharr.

Tetova jo vetëm këto shtatë ditë por vazhdimisht ka patur probleme me ujin e pijshëm, por rasti i fundit ka tejkaluar durimin e çdo tetovari që po përballet me mungesën e ujit.

I bëjmë thirrje Kryetares së Komunës znj. Arifi dhe Ndërmarrjes publike “Tetova” që sa më shpejtë t‘i ndërmarrin masat e domosdoshme që t’ju sigurojnë ujin tetovarëve, të kërkojnë ndihmë nga Qeveria dhe institucionet shtetërore dhe t‘ju dalin në ndihme rreth këtij problemi qe pa fajin e tyre e pësojnë tetovarët, madje edhe në kohë pandemie kur kujdesi mbi shëndetin dhe pastërtinë janë mbi të gjitha.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi. Sot është paraqitja e parë si kryetar dege i ASH, e kisha menduar të ndaj shqetësime me ju për shumë probleme tjera siç janë: mungesa e parqeve për fëmijë, cerdheve, mungesa e parkingjeve, shkollave të reja, e deri te teatri, i cili nuk ka përfunduar edhe pas 10 vitesh, po kurrë s‘e kisha menduar se paraqitja ime e parë do te jetë për mungesën e gjësë më elementre për jetën e njeriut sic është UJI.

Të dashur tetovarë, kjo është edhe një nga shumë dëshmitë për keqmenaxhimin e Kryetares se Komunes se Tetovës, që qytetarët e saj i lë pa ujë në shekullin 21, në kohë pamdemie, pas dy mandatesh Kryetare e Tetovës imagjinoni cfar absurdi dhe çfar turpi njëkohësisht.

ASH Tetovë – Muzafer Etemi/Kryetar