Tetovari që i’a dha arkën me flori Ismail Qemalit për Shqipërinë e Pavarur

Advertisment

Kjo është historia e panjohur e familjes së famshme Derralla me origjinë të hershme nga Gradeci i Pollogut të Tetovës, ku i pari i tyre, Hasan Pasha, shërbeu në detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë së Sanxhakut të Prizrenit, kurse djali i tij, Mehmeti, u emërua në detyrën e Komandatit të Forcave të Armatosura të Lidhjes së Prizrenit për qytetin e Tetovës.

Dëshmitë e rralla të Valdet Derrallës, për historinë e fisit të tyre nga më të njohurit shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, ku gjyshi i saj, Mehmet Pashë Derralla, më 28 nëntor të vitit 1912, i dhuroi Ismail Qemalit një arkë me flori për qeverinë ku ai u emërua si Ministër i Luftës, kurse djemtë e tij, pasi ishin internuar në kampet naziste, në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, u persekutuan si familje reaksionare dhe babai i Valdetit, pasi vuajti dhjetë vite burg, jetoi bodrumeve të qytetit të Shkodrës, ku për të siguruar bukën e gojës, bënte nallane me drutë e zjarrit që i sillnin fshatarët për t’i shitur.

Reklame

“Edhe pse gjyshi im Mehmet Pashë Derralla kishte mbajtur postin e Ministrit të Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, dhe i kishte dhuruar atij një arkë me flori për kabinetin, djali i tij dhe njëkohësisht babai im, Hysen Dërralla, për vite u burgos nga regjimi i Enver Hoxhës. Dhe për të siguruar bukën e gojës, bënte fshehurazi nallane në bodrumet e Shkodrës, të cilat më pas i shiste në rrugicat e atij qyteti”. Njeriu që dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al, është Valdete Derralla, e cila rrëfen historinë e dhimbshme të familjes dhe babait të saj, i cili pasi u lirua nga burgjet naziste, u dënua edhe nga komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë.

Cila është origjina e familjes Derralla dhe kush ishin disa nga burrat e asaj familjeje të madhe pashallarësh që u shkolluan në akademitë ushtarake të Turqisë dhe Italisë? Cili ishte fati i familjes Dërralla dhe i djemve të Mehmet Pashës gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës?

Në Akademitë Ushtarake
Lidhur me historinë e familjes Derralla dhe djemve të Mehmet Pashës, e mbesa e tij, Valdete Derralla dëshmon: “Pas vdekjes së Mehmet Pashës në vitin 1918, i pari i asaj familjeje, mbeti djali i madh i tij Halimi, i cili kishte lindur në vitin 1878 në Tetovë. Ai ishte diplomuar për Drejtësi në Stamboll dhe në atë kohë ishte zgjedhur si deputet i Tetovës në Parlamentin e Serbisë. Në shtëpinë e madhe të Dërrallave në Tetovë, jetonin vetëm djemtë me familjet e tyre, pasi të pesë vajzat e martuara, Mehmeti i kishte dërguar në Bursë të Turqisë që në vitin 1912, kur ai u nis për në Vlorë. Po në vitin 1921, xhaxhai i madh Halimi erdhi në Tiranë dhe pasi u thirr nga Ahmet Zogu, i propozoi atij që të bëhej deputet në Parlamentin Shqiptar. Halimi pranoi duke qëndruar deputet dhe senator nga viti 1921 deri në vitin 1929. Ai vdiq në vitin 1932 në Tiranë, ku i’u bë një varrim madhështor. Pas vdekjes së tij, vëllezërit dhe familja e tij u kthyen në Tetovë.

Valdete Deralla

Djali i dytë i Mehmet Pashës, ishte Mynyri, i cili nuk jetoi gjatë dhe vdiq shumë i ri. Djali i tretë ishte Gajuri, i cili u lind në Bagdat në vitin 1908, dhe më vonë ai mbaroi Akademinë Ushtarake në Itali. Pas studimeve, ai u kthye në Shqipëri dhe shërbeu për disa kohë si oficer i Xhandarmërisë Mbretërore, e më pas në Oborrin Mbretëror në Tiranë. Në vitin 1939, Gajuri shkoi në Tetovë ku shërbeu si oficer në Xhandarmërinë e atij qyteti. I katërti i djemve ishte, Hyseni, babai im, i cili u lind në Tetovë në vitin 1912. Babai ka qënë 6 muajsh kur Mehmeti u nis për në Vlorë për Shpalljen e Pavarësisë. Pasi mabroi shkollën fillore dhe të mesmen tregtare në Tetovë, Hyseni kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Sarajevë dhe në vitin 1931, ai erdhi në Tiranë, ku vazhdoi gjimnazin në konviktin “Naim Frashëri”. Pas mbarimit të shkollës në vitin 1934, ai filloi punë në Ministrinë e Ekonomisë, ku qëndroi deri në vitin 1940”, kujton Valdete Dërralla, lidhur me xhaxhallarët dhe babain e saj, djemtë e Mehmet Pashë Dërrallës, ministrit të Luftës në qeverinë e paarë të shtetit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali.

Hyseni me Gajurin në burgjet naziste!
Lidhur me historinë e babait të saj Hysenit, gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist, Valdeti kujton: “Në vitin 1940, im atë Hyseni, së bashku me të vëllain Gajurin, u veshën si oficerë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe u dërguan në frontin e luftës italo-greke. Pasi dezertuan nga ajo luftë, ata kërkoheshin nga italianët dhe për të shpëtuar, shkuan të dy në Tetovë ku deri në vitin 1942, shërbyen si oficerë të Milicisë. Në vitin 1942, Hyseni u thirr në Tiranë nga Regjenca dhe i’u komunikua detyra e komandantit të Xhandarmërisë së Tetovës dhe grada e majorit. Kur u kthye në Tetovë, ai krijoi repartet e Policisë Popullore, me efektiva nga rardhët e nacionalsitëve shqiptarë, të cilët mbajtën rendin në qytet. Në atë kohë Hyseni nuk lejoi që efektivët e tij të merrnin pjesë në batalionet SS të gjermanëve, për t’i çuar më pas në Kosovë. Për këtë arsye ai u arrestua bashkë me Gajurin dhe në vitin 1944, u internuan në Kampin e Prishtinës.

Pas disa kohësh ata i transferuan në kampin e Bader-Stohelber që ndodhej në Austri dhe nga ai kamp, ata u liruan vetëm në vitin 1945, nga forcat aleate anglo-amerikane. Ata tentuan të ktheheshin në Tetovë, por Gajuri u arrestua nga forcat serbe të cilët e çuan në burgun e Shkupit, ku pas një gjyqi e dënuan me vdekje. Me ndërhyrjen e miqve të familjes dhe me anë të pagesave, atij i’u kthye vendimi në 20 vite burg. Pasi bëri 12 vite në Idrizovë, ai u arratis për në Itali dhe me ndihmën e Ali bej Këlcyrës, mundi që të nisej për në SHBA-ve. Ndërkohë, babai Hyseni, qëndronte i fshehur për muaj me rradhë në fshatin Kotlinë, ku ne kishim pronat e familjes. Më pas ai doli dhe u kthye në Shkup, ku mendonte se nuk do ta arrestonin. Por në 26 mars të vitit 1947, ai u arrestua dhe u ekstradua në Tiranë, pas një marrëveshjeje që kishin bërë të dy Minsitritë e Brëndshme respektive. Pasi u mbajt disa muaj në hetuesi duke u torturuar, me ndërhyrjen e disa njerëzve të nënës sime (Mynyre Starja nga Kolonja), ai mundi të fitonte pafajsinë dhe të lirohej”, kujton Valdete Dërralla, peripecitë e babait dhe xhaxhait të saj.