Tetovë, më shumë interesim për dozën e tretë se sa për të parën

Në Tetovë për çdo ditë vaksinohen nga 400 deri në 500 qytetarë. Mjeku Besnik Mustafai nga Qendra për Shëndet Publik thotë se interesimi për vaksinim është më i madh për dozën e tretë, ndërsa ata që akoma nuk kanë pranuar asnjë dozë të vaksinës janë qytetarët të moshës nën 30 vjeç.

“Më tepër mund të themi se kemi vaksinim me dozën e tretë, edhe ata qytetarë që kanë qenë të ndërgjegjshëm edhe janë vaksinuar me kohë me dozën e parë edhe të dytë tani vaksinohen me dozën e tretë në mënyrë të rregullt. Për fat të keq mund të themi se me dozë të parë vazhdon interesimi i vogël tek grupmoshat nën 30 vjeç, është një interesimi vogël për tu vaksinuar”, tha Mustafai.

Reklame

Shtrëngimi i masave sipas Mustafait ka bërë që shumica e qytetarëve të vaksinohen për tu ulur në lokale apo udhëtuar jashtë shtetit .

“Ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që nuk janë vaksinuar me asnjërën dozë dhe tani vijnë që të vaksinohen me dozë të parë, ku zakonisht janë qytetarë që kanë qenë jo të sigurt për çështjen e vaksinimit. Shumica besojnë akoma në teori konspirative. Por vlen të ceket se shtrëngimi i masave për të kaluar kufirin në shtet fqinje ka ndikuar që të vijnë pacientët. Shumica e cekin se më tepër vaksinohen për tu ulur në kafene apo për të kaluar jashtë shtetit”, tha më tej Mustafai.

Në spitalin klinik të Tetovës për momentin janë të shtruar gjashtë pacientë të cilët edhe pranojnë terapi me oksigjen, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit jetën e ka humbur një 80 vjeçar.