Tetovë, persona fantom në Lagjen e Romëve

Advertisment

Selman Krasniqi një jetë të tërë e ka kaluar në lagjen e romëve në Tetovë. 50 vjeçari edhe përkundër faktit që ka lindur në këtë qytet nuk ka asnjë dokument të vetëm personal. Krasniqi thotë se më rëndë për të është kur ka probleme shëndetësore, pasi për t’u shëruar në spital duhet të paguaj privatisht.

“Kam qenë njëqind herë po s`më pranojnë, se di se si do i bëhet puna nuk e di. Kemi problem vërtetë po nuk dimë ku të shkojmë. Edhe të shkoj në Shkup ku t`i kërkoj dokumentet nuk e di. Pastaj kushtojnë 200 dei 300 euro po bëhen po ne s`kemi pare” tha Selman Krasniqi, banor.

Reklame

Në qytetin e Tetovës ka dhjetëra persona që janë të “padukshëm”. Komuna e Tetovës këmbëngul se bashkë me sektorin joqeveritar, kanë arritur që të regjistrojnë 27 persona në librin amzë, ndërsa në procedurë e sipër është edhe regjistrimi i shtëpive të ndërtuara në mënyrë jolegale.

“Banorët e asaj lagjeje që në numër janë 180, 20 prej tyre nuk posedojnë asnjëfarë dokumentacioni personal pra janë banorë të ashtuquajtur fantom. Ne si institucion jemi duke punuar që të njëjtët të socializohen në jetën publike dhe shoqërore në komunën e Tetovës, duke sistemuar edhe fëmijët e këtyre familjeve nëpër shkollat fillore”-pohoi Ahmed Qazimi, Komuna e Tetovës.

Në nivel të shtetit, gjithsej janë evidentuar rreth 780 persona që nuk posedojnë asnjë lloj dokumenti, por supozohet që numri të jetë shumë më i madh. Jasna Petreska Taleski, nga Zyra për Librat Amzë e Shkupit thotë se këta persona shpesh nuk shprehin interesim për tu pajisur me dokumentacionin e duhur, nga i cili, të paktën do të përfitonin katër të drejtat elementare, Sigurimin shëndetësor, sigurimin social, të drejtën për të punuar dhe të drejtën e shkollimit.

Megjithatë flasim për një kategori njerëz të themi pak të pa-interesuar që vet ata ta ndjekin tërë procedurën, pra që kërkon ndoshta ardhje disa herë tek sportelet tona, kërkesa e dokumenteve të caktuara nëpër institucione të tjera dhe këtu rezulton se ata vet nuk e bëjnë këtë procedurë edhe pse janë të vetëdijshëm për nevojën e gjithë kësaj”-theksoi Jasna Pesevska Taleski, Zyra për Librat Amzë

Supozohet se në Komunën e Gostivarit dhe atë të Kërçovës janë të koncentruar, shumica e banorëve të vendit që nuk posedojnë dokumente identifikimi./alsat m