Tetovë, tregtarët e paligjshëm uzurpojnë hapësirat publike (video)

46

Fenomeni i uzurpimit të hapësirave publike në Tetovë, në veçanti i trotuareve, nuk ka të ndalur.

Parkimi i paligjshëm i makinave, tregtimi nga shitësit ambulant, dhe objektet hotelierike po pamundësojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve. Kjo ka bërë që qytetarët detyrimisht të lëvizin nëpër rrugë, duke vënë në rrezik jetët e tyre.

“Kjo që i bllokojnë trotuaret është shumë gabim, sepse një grua me karrocë duhet të del në rrugë se e bllokojnë trotuarin, edhe veturat i lënë aty dhe pengesë e madhe është. Komuna duhet të angazhohet sa më tepër, se shitësit i bllokojnë trotuaret”.

“Ne vet e bëjmë këtë, nuk i respektojmë ligjet. Komuna s`mund të rrijë të na ruaj neve këtu”.

“Edhe në spital nuk shkon dot, e lere ma këtu në Pazar. Po nuk është aty puna, duhet t`i punësojnë njerëzit pastaj s`ka nevojë të del në Pazar ose rrugë”.

“Problemi më i madh me uzurpimin e hapësirave publike nga tregtarët është pikërisht ditën e enjte, kur është ditë tregu, dhe qyteti i Tetovës apo pjesa e epërme e tij, duket kështu siç e shihni pas meje”.

Drejtori i ndërmarrjes Publike thotë se në treg ka mbi 100 vende të lira, ndërsa për ata që do vendosin largohen nga hapësirat publike, Ndërmarrja Publike do iu ofroj edhe 6 muaj gratis përdorim të tezgës, por sërish interesimi mbetet i dobët.

Kemi 120 vende të lira të tregut, ne vitin e shkuar kemi bë thirrje dhe ua bëmë të mundur që gjithë nga jashtë që do futen brenda tregut 6 muaj ta kenë pa pagesë, por janë futur vetëm dhjetë njërës që ende janë duke punuar – tha Xhelal Ceka, drejtor i NPK Tetova.

Inspektorati i tregut i Komunës së Tetovës, gati çdo vit ndërmerr aksione për lirimin e hapësirave publike, por pas ata serish kthehen si pasojë e dënimeve të ulëta dhe mos konfiskimi i mallit të tyre.

Inspektorati komunal dhe inspektorati i tregut i Ministrisë së Ekonomisë bashkë me SPB-në e Tetovës, disa herë kanë realizuar aksione për lirimin e hapësirave publike, por ky fenomen po përsëritet. Ditëve në vijim nga ky inspektorat sërish do të merren masa dhe përveç dënimeve që janë në vlerë prej 3.000 denarëve, personave që uzurpojnë trotuaret dhe hapësirat publike, do t‘ju konfiskohet edhe malli thonë nga inspektorati komunal i komunës së Tetovës.

Ndryshe, përveç nga shitësit ambulant, trotuaret uzurpohen edhe nga objektet hotelerike, të cilat krijojnë tarraca të paligjshme gjatë gjitha sezoneve, ndaj të cilëve po ashtu merren masa, por pa sukses.

Bashkim Sulejmani