Tezja rrëfehet për v rasjen e nipit Nexhipin në Vjenë (VIDEO)

Advertisment

Veleshta e Strugës në zi pas humbjes së Nexhip Vrenezit, djaloshi i cili u vra në sulmin terrorist në Vjenë.

20 vjeçari kishte lindur dhe ishte rritur në Vjenë të Austrisë, por asnjëherë nuk ka nguruar të vijë në vendlindje për pushime.

Reklame

Nexhipi kishte kryer Akademinë ushtarake dhe një ditë para së sulmuesi t’ia merrte jetën, ai morri lajmin se ishte pranuar në punë.

Kjo është shtëpia e tij në Veleshtë.

Aty e gjetëm tezen e Nexhipit, e cila mes dhimbjesh dhe lotësh rrëfehet për nipin e tij.

Sipas saj Nexhipi kishte dalë në një lokal me shokët për të festuar punësimin, pasi tanimë do të fillonte një jetë të re, por siç thotë, askush nuk e kishte pritur se dikush do ia shuaj ëndrrat aq shpejtë.

“Ky është një lajm që ka tronditur familjen tonë jashtë mase. Kur morëm vesh lajmin se djalin e kanë sulmuar ishte një shok për familjen tonë dhe për ne. Ishte djalë për së mbari sa kreu ushtarakun sa filloi në punë e pranuan doli ta festojë me shoqërinë, ka dal jashtë të pijë cigare dhe sulmuesi e ka sulmu djalin, është largu disa metra, pastaj është kthye prapë. Ka qenë i gjallë, kur e ka pa që ka lëviz i është kthyer prapë dhe ka shti mbi djalin dhe aty më ka vdekur”, thotë për TV21, tezja e Nexhipit.

E lënduar thellë në shpirtin e saj, tezja e Nexhipit, shprehet e habitur se si ky vrasës është lëshuar nga burgu.

“Kurani nuk thotë të vrasësh njerëz, Zoti thotë t’i duash njerëzit, të kalosh mirë me njerëzit, këta janë vrasës këta duhet të dënohen. Si flitej nëpër media ky ka qenë në burg. Këtu edhe shteti i ka fajet që e ka lëshuar më herët, duhet të ketë siguri, si mund të shtijë shqiptari mbi shqiptarin”, theksoi tezja e Nexhipit.

Të njëjtën e tregon edhe Gajur Kaba, familjarë i viktimës. Ai tha se janë të shokuar dhe nuk mund të pajtohen me faktin se Nexhipi nuk jeton më.

“Lajmin e morëm me dhimbje. Ne e kemi nip, ka lind dhe është rritë në Vjenë të Austrisë me nënshtetësi austriake. U shkollua, atje ka kryer shërbimin ushtarak në Austri. Siç e morëm lajmin, ka dal me shokët të pijë një kafe dhe duke pirë kafe i ka ardhur një e pa pritur pas shpine”, deklaroi Gajur Kaba – familjar i viktimës.

Në sulmin e Vjenës që ndodhi më 2 nëntor, jetën e humbën 4 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Policia austriake arriti që të vrasë atentatorin Kujtim Fejzulli nga Çellopeku i Tetovës në vendin e ngjarjes.

Mediat austriake shkruajnë se Kujtim Fejzulli ka qenë i dënuar nga shteti austriak më prill të vitit 2019 për anëtarësim në organizatë terroriste. Ai ishte i dënuar me 22 muaj burg, sepse ka tentuar t’i bashkëngjitet luftës në Siri.