Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka qenë i ftuar në emisionin “Zone e lire” në RTV Klan. Ai ka folur rreth zgjedhjeve të parakohshme të 12 Prillit në Maqedoninë e Veriut. Në panel ka qenë i ftuar poashtu edhe profesori i filozofisë nga Tirana, Arjan Curri, shkruan Albanews24.
Profesor Curri pyet Thaçin se si ka mundësi PDSH-ja, një nga partitë më të vjetra politike në Maqedoni, ku njëkohë kishte 10 apo 12 deputetë, tani mezi nxjerr një apo dy deputetë.
Thaçi ka mohuar se nuk është e vërtetë që vetëm PDSH-ja ka pësuar rënie të numrit të deputetëve. Ai thotë se BDI-ja ka pasur 20 deputetë, ndërsa tani ka dhjetë.
“Partitë e vogla që i përmendi Curri, në vitin 2016 kandiduan për opozitë dhe morën pjesën e kulaçit opozitar dhe njërin prej tyre që përmend Curri në mbrëmjen e përfundimit të zgjedhjeve shkoi dhe u ul bashkë me Ali Ahmetin dhe i mundësoi BDI-së të jetë në qeverisje”, ka aluduar Thaçi për kryetarin e ASH-së, Ziadin Sela.
Ai ka shtuar se raporti i votave në zgjedhjet e 2016 ka qenë 126 mijë opozita, 84 mijë BDI-ja, por tani ai nuk mund të merr përsipër tradhtinë e njerëzve të cilët dalin si opozitar dhe më pas përfundojnë në “prehrin” e BDI-së.