Ti ndihmojmë 36 vjeçarit Mirlind Elmazi nga fshati Raven të ngrihet sërish në këmbë

Bashkëmoshatarët e tij kanë krijuar familje, kanë një vend pune e i gëzohen jetës. Kjo gjë është ëndërr e 36 vjeçarit Mirlind Elmazi nga fshati Raven, i cili disa vite është i palëvizshëm pas një sëmundje të papritur që e ka lënë në karrocë.

Shpresë e vetme për t’u ngritur sërish në këmbë është spitali MELITTAKLINIK në Bolzano të Italisë.

Megjithatë, për t’iu kthyer jetës normale, shërimi i 36 vjeçarit kushton rreth 45.000 euro, kosto financiare të cilën familja e ka të pa mundur ta përballojë e vetme. Deri më tani, ata i kanë siguruar 26.000 euro, dhe pasi afati i fundit për operim është pas 20 ditësh, ata lusin bamirësit për ndihmë dhe solidarizim me të birin e tyre. Nismës për ta ndihmuar familjen e Mirlindi Elmazit i është bashkangjitur edhe Shoqata për Kulturë “Reka e Epërme”, Dega në Itali.

“Edhe pse me ndihmën e shumë bamirësve Mirlind Elmazit iu bë një intervenim kirurgjikal në Turqi, për fat të keq gjendja e tij, shumë pak u përmirësua. Familja duke parë se gjendja nga intervenimi nuk pati sukses, drejtohen në nje spital privat në shtetin e Italisë, konkretisht në spitalin MELITTAKLINIK, në qytetin e Bolzano.

Ne spitalin e lartëpërmendur, pas gjithë analizave të detajuara të Mirlindit bërë nga stafi mjekësor, kanë ardhun në përfundim se i duhet një intervenim tjetër kirurgjikal. Intervenimi i Mirlind Elmazit, është paraparë të bëhet me 18/10/2021 në ora 14.

I gjithë ky intervenim është më një kosto shumë të lartë që arrin shumën 44.835 euro”, thonë nga Shoqata për Kulturë “Reka e Epërme”, Dega në Itali.

Në çmim, siç bëjnë me dije nga kjo shoqatë përfshihet intervenimi kirurgjikal prej 11.855 euro; dy muaj rehabilitim që kushton 27.000 euro, dy muaj shoqërimi i një të afërmi që do të kushtojë 9.000 euro.