Tomë Gashi: Kurti e Osmani nuk e kanë shkopin magjik, por do ta bëjnë Kosovën vend normal

Avokati, Tomë Gashi, ka kritikuar qeveritarët e deritanishëm, duke e parë si të vetëm zgjidhje të problemeve në Kosovës votimin e listës së Vetëvendosjes.

Në një intervistë për arbresh.info, Gashi thotë se nëse votojnë qytetarët për partitë që kanë qeverisur deri më tani, do të mbetet situata e njejtë.

Reklame

“Shumica e qytetarëve tashmë e kanë një adresë për kë të votojnë nëse duan ndryshime, dhe ndryshimet janë të domosdoshme drejtë një Evropë të civilizuar dhe me vonesë ta jemi pjesë e Evropës së qytetëruar. Kemi mbetur i vetmi vend i izoluar, dhe pushtetarët i kanë parë vetëm interesat e veta, prandaj ekzistojnë dallimet e shtresave, shumë të varfër apo shumë të pasur”, thotë Gashi.

Sipas tij, edhe partitë e tjera e pranojnë se Vetëvendosja do të fitojë këto zgjedhje, prandaj thotë se mund të shihen këto zgjedhje si një lloj referendumi.

Për më tepër, Gashi thotë se Albin Kurtit përfundimisht nuk mund t’i kontestohet të jetë prijës i listës së Vetëvendosjes.

“Nuk paraqet pasoja juridike, dhe as KQZ-ja s’mund ta ndalojë Albin Kurtin, të gjithë e dinë, vetëm nëse dikush nuk dëshiron ta kuptojë, do ta kemi Albin Kurtin kryeministër dhe do të kemi tejkalim të gjysmës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pra më tepër se 80 deputet, dhe pas disa muajve të legjitimohet pozita e Vjosa Osmanit si presidente”, thotë avokati Gashi.

Ai tregon nëse do të jetë pjesë e listës së Vetëvendosjes, afati i dorëzimit të së cilave përfundon në orën 18:00.

“Nuk do të jem në listën e Vetëvendosjes, jam përkrahës publik i Vetëvendosjes, por pas qeverisjes së mirë të Albin Kurtit është parë se çfarë qeverisje dëshirojmë dhe vetëm kjo parti mund ta bëjë ndarjen. Kontributi im më i madh do të jetë si avokat”, shprehet Gashi.
Sipas tij, Kurti e Osmani nuk e kanë shkopin magjik, por do ta bëjnë Kosovën vend normal.

“Do të jetë fillimi i zgjidhjes së të gjitha problemeve, meqë më parë është qeverisur për interesa të caktuara. Kurti e Osmani nuk e kanë shkopin magjik, por me rëndësi është të ndalet e keqja, por që Kosova të jetë vend normal. Nuk mund të lejojmë që t’i vidhet ardhmëria edhe fëmijëve tanë, duke i ‘falënderu’ ata që na kanë qeverisur deri më tani. Me Albinin e Vjosën do të angazhohemi në arsim, shëndetësi e ekonomi, dhe do të ndalen aferat korruptive”, shprehet Gashi.