Trendi që i kushton shëndetit të fëmijëve

Blerta Ahmeti, nga Prishtina, mundohet që vajza e saj Borea, tri vjeçe e gjysmë, të shpenzojë sa më pak kohë në pajisjet teknologjike.

Blerta, e cila me profesion është gazetare, thotë se për ta mbajtur vajzën larg ekraneve digjitale, zhvillon lojëra të ndryshme në shtëpi, kurse, gjatë fundjavave, kur është e lirë nga puna, e mban jashtë në natyrë.

Reklame

Por, kureshtja e Boreas për të vizituar faqe të internetit nuk mungon, thotë e ëma. Në këtë, ajo thotë se kontribuon edhe vetë prania dhe përdorimi i pajisjeve teknologjike nga vetë ajo dhe babai i Boreas.

“Në momentin kur e marr nga kopshti dhe kthehem në shtëpi, angazhohem me të, të ngjyrosim, të vizatojmë, të krijojmë figura nga letra, duke krijuar forma të ndryshme gjeometrike. Nuk po them se nuk shikon, por periudha që unë mundohem ta lë të fokusuar në video të ndryshme në telefon, është maksimumi 30 minuta [në ditë]”, thotë Blerta për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se është munduar maksimalisht që të shmangë varësinë nga pajisjet teknologjike, pasi, siç thotë, ka lexuar shumë për ndikimet që mund t’i ketë përdorimi i teknologjisë në zhvillimin e hershëm të fëmijëve.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në raportin e Komisionit Evropian, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpi. Kjo e bën Kosovën të parën në rajon sa i përket qasjes në internet.

Pas saj radhitet Shqipëria me 85 për qind, Maqedonia e Veriut me 82 për qind, Serbia me 80 për qind, Mali i Zi me 74 për qind dhe Bosnje e Hercegovina me 72 për qind.

Qasja në internet kryesisht është nga telefoni celular, pasuar nga kompjuteri desktop, laptopi dhe tableti.

Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga viti 2019 tregojnë se fëmijëve më të vegjël se 2 vjeç nuk u rekomandohet qasja në pajisje teknologjike, kurse atyre të moshës 3-4 vjeç u lejohen vetëm 60 minuta në ditë.

Një raport i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (ARKEP), për pjesën e parë të këtij viti, tregon se numri i përdoruesve të internetit mobil në vend ka arritur në 1.7 milion.

Shifra tregon rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin mbi 1.2 milion përdorues.