Trump: Do ta mbyllë plotësisht kufirin me Meksikën nëse nuk ndërtohet muri

73

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka kërcënuar se kufiri me Meksikën do të mbyllet tërësisht nëse kërkesa e tij për financim të ndërtimit të murit nuk përmbushet. Deklarata e tij erdhi në ditën e shtatë të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane.

Vendimi për mbylljen e pjesshme të qeverisë ishte marrë pikërisht për shkak të financimit të murit. “Ne do të jemi të detyruar ta mbyllim plotësisht kufirin jugor nëse demokratët pengues nuk na i japin të hollat për ta përfunduar murin dhe për t’i ndryshuar ligjet qesharake për migrimin, në të cilat është ngujuar vendi ynë”, shkroi Trumpi në Twitter.

Shumë agjenci qeveritare janë mbyllur javën e kaluar për shkak të përfundimit të afatit për financimin e tyre dhe për shkak të refuzimit të presidentit që t’i financojë ato pa i siguruar 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit kufitar.

Rreth 80 mijë punëtorë të administratës shtetërore janë detyruar të shkojnë në pushim ose të punojnë pa pagesë, shkruan “The Guardian”./a.meta