Trump nuk heq dorë: Jo koronavirus, erdhi nga Kina dhe do ta quaj ‘virusi kinez’

Autoritetet amerikane janë të zemëruar me ato komuniste kineze që po vazhdojnë të përhapin gënjeshtra rreth origjinës së koronavirusit, dhe kjo po manifestohet me zemërimin e vet presidentit amerikan që e përsëriti termin ‘virusi kinez’ që shumë njerëz mendojnë se është stigmatizues.

Presidenti Trump e mbrojti përdorimin e termit “Virusi kinez” si përshkrim për SARS-CoV-2 që shkakton sëmundjen Covid-19 të martën kur tha se e përdor pasi Kina u mundua të fajësoj ushtrinë amerikane për përhapjen e epidemisë.

“Nuk më pëlqeu fakti se Kina thoshte që ushtria jonë i kishte infektuar ata. Ushtria jonë nuk e ka bërë një gjë të tillë” tha Trump gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

“Kina po përhapte informata që ishin të rreme, që ushtria jonë i kishte infektuar. Kjo ishte false. E për të ju shmangur një zënke, thashë ta quaj ashtu nga erdhi. Erdhi nga Kina. Pra, mendoj që është term shumë i saktë” tha presidenti amerikan.

Presidenti po ashtu nuk i pranoi pretendimet se përdorimi i termit është stigmatizues.
“Nuk mendoj ashtu. Mendoj se të thënat se ushtria jonë i kishte infektuar është njollë”.
Zyrtarë komunistë kinezë ka një kohë që po mundohen të njollosin amerikanët duke thënë se ishte ushtria amerikane që kishte sjellë virusin në Wuhan. Provë kjo e pushtetit për të ruajtur reputacionin e tyre para zemërimit të madh popullor kinez pasi u mësua se autoritetet komuniste kishin fshehur rrezikun nga Covid.