Trump tha se e përdor vetë, OBSH pezullon testimin e hidroksiklorinës

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pezulluar përkohësisht testimin klinik të hidroksiklorinës si një trajtim i mundshëm për COVID-19.

Vendimi u mor pas një publikimi në revistën mjekësore The Lancet, javën e kaluar, ku thuhej se përdorimi i ilaçit te pacientët me COVID-19 mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Reklame

Në një video-konferencë për media, ai tha se i ashtuquajturi Testim i Solidaritetit – ku qindra spitale të vendeve të ndryshme të botës kanë testuar lloje të ndryshme të trajtimeve për koronavirus – ka pezulluar trajtimin e hidroksiklorinës.

Tedros tha se pezullimi do të vlejë derisa të rishikohen të dhënat.

Hidroksiklorina përdoret normalisht për të trajtuar artritin, por deklaratat e figurave publike, si ato të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë javën e kaluar se po e merr ilaçin, kanë nxitur qeveritë që të blejnë hidroksiklorinë me shumicë.

Ministri i Shëndetësisë në Brazil rekomandoi gjithashtu javën e kaluar përdorimin e hidroksilkorinës, si dhe të klorinës kundër malaries, për trajtimin e rasteve me COVID-19.

Por, studimi i Lancet zbuloi se të dyja ilaçet mund të prodhojnë efekte të mundshme anësore, sidomos aritmi të zemrës. /Opinion.al