Turqia provon vaksinën e parë kundër COVID 19

Advertisment

Mjekët turq të hënën i dhanë gjilpërën e parë të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) një punonjësi shëndetësor, raporton Anadolu Agency (AA).

Asım Baştürk, 53-vjeç, doli vullnetar në fazën e tretë të testit të vaksinës të zhvilluar nga Kina.

Reklame

Duke folur për gazetarët, Dr. Mustafa Sait Gönen, dekani i Fakultetit kryesor turk të Mjekësisë të Universitetit Cerrahpaşa në Stamboll, tha: “Sot, ne filluam testimin e fazës 3 të vaksinës me origjinë kineze nga shkolla mjekësore Cerrahpaşa”.

Ai tha se nga 335 mijë pacientë që kishin vizituar institucionin që nga marsi, 27 mijë ishin trajtuar për COVD-19 dhe 77 mijë ishin testuar.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për Fakultetin e Mjekësisë Cerrahpaşa. Kjo luftë (kundër virusit) vazhdon në Cerrahpaşa, si në spitalet e tjera dhe në botë”, shtoi ai.

Po ashtu edhe Baştürk tha: “Unë u bëra vullnetar me vullnetin tim. Sigurisht, ne duam që ky (virus) i cili po krijon telashe për Turqinë dhe botën të eliminohet së shpejti”.

Virusi që u shfaq për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar është përhapur në pothuajse të gjithë botën, sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA.

Më shumë se 33 milionë njerëz janë infektuar, përfshirë mbi 998 mijë vdekje dhe gati 23 milionë të shëruar.