TV21 jo zyrtarisht mëson, Qeveria do t’i shesë aksionet në “Telekomin e Maqedonisë”?!

Advertisment

Ka mundësi që një pjesë e aksioneve të qeverisë në Telekomin e Maqedonisë të shiten, jo zyrtarisht mëson TV21. Në këtë temë është biseduar në kabinetin e qeverisë, por vendim ende nuk ka. Shitja e aksioneve do të varet nga gjendja me pandeminë. Paratë nga shitja e pjesës së shtetit në Telekom – Maqedoni, gjegjësisht 34,8%, do të shfrytëzoheshin për mbushje të vrimave buxhetore dhe për zbutje të pasojave financiare nga kriza me virusin korona. Për privatizimin e mundshëm të kompanive të caktuara foli edhe kryeministri Zoran Zaev. Ai paralajmëroi se përveç Postës së Maqedonisë, ka gjasa të privatizohen edhe ndërmarrje të tjera publike, edhe pse ai nuk e përmendi Telekomin e Maqedonisë.

“Partneriteti publiko privat do të jetë një prej preokupimeve të Qeverisë. Një nga institucionet e tilla për të cilat mendojmë janë QTE Negotinë, Hekurudhat e Maqedonisë, Transport, nuk e di Eurokompozit, Kollska e Velesit dhe disa institucione tjera”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Reklame

Burime tjera të Qeverisë, të cilët i kontaktoi TV21 thonë se për momentin vendim për shitjen e Telekomit të Maqedonisë nuk ka, për shkak se kjo kompani është me interes strategjik për shtetin. Të njëjtat burime thonë se likuiditeti i tregut është i mirë dhe tani për tani nuk ka hapësirë për huamarrje nga jashtë, siç nuk ka hapësirë edhe për shitjen e aksioneve shtetërore në këtë kompani.

Për interesimin e mundshëm nga ana e Dojçe Telekom thonë se kompania ka prioritete të tjera në rajon, posaçërisht me tregun dhe vendosjen e rrjetit 5G.

Shteti për shkak të gjendjes në ekonominë e vendit nuk ka mundësi të gjëra për huamarrje nga jashtë vendit, andaj vrimën buxhetore do ta plotësojnë me para nga kapitali shoqëror thonë ekonomistët. Disa prej tyre paralajmërimet e tilla i vlerësojnë si joserioze dhe thonë se me 300 milion euro, sa do të marrin nga shitja e aksioneve në Telekomin e Maqedonisë, Qeveria mund të mbulojë vetëm një pjesë minimale të nevojave. Gabimi është bërë në fillim gjatë shitjes së kompanisë, thonë ekonomistët që i konsultuam. Ata sugjerojnë se nga fillimi i privatizimit të kompanisë, Qeveria nuk është dashur të lejojë pronësi në përqindje aq të ulët të aksioneve. Përndryshe privatësia e kompanisë ka ndodhur më 15 janar të vitit 2001.

https://www.youtube.com/watch?v=5pktYYZsowE&feature=emb_title