U mbajt takimi tradicional i gjeneratës së tretë të Medresesë “Isa Beu” – Shkup

AdvertismentCustom Text

Ashtu siç ishte paralajmëruar në rrjetet sociale, më 22 qershor 2021, ditën e tretë të Kurban Bajramit u mbajt takimi i gjeneratës së tretë të Medresesë “Isa beu”.

Takimi u organizua në ambientet e Medresesë ku kaluan katër vjet të plota nga i cili vend dhe nga ajo kohë bartin kujtimet më të shtrenjta të jetës së tyre.
Tashme për takime të këtilla tradicionale ekziston një protokoll i pa shkruar por që të gjithë e dinë. Prej orës 11 e deri në orën 12 bëhet pritja e nxënësve që pas 10, 20 a 30 vjetësh përsëri gjenden në bankat e Medresesë dhe në të njëjtat vende që kanë pasur gjatë shkollimit.

ReklameCustom Text

Edhe kësaj radhe u mbajt ora përkujtimore, sa për të rikthyer në kujtesën e tyre profesorët, edukatorët, mesxhidin, bibliotekën, fushën e sportit, kuzhinën, internatin po edhe aromën e luleve që kundërmonte para dritareve të të gjitha klasave.

Ishte ky një rikthim në fundin e viteve të tetëdhjeta. Ora u mbajt sipas të gjitha normave pedagogjike. Kujdestari i klasës, Elez Ismaili, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, si atëherë ashtu edhe në këtë ditë, doli para nxënësve të vet me të njëjtin stil, me të njëjtin selam.

Shprehu kënaqësinë se ishin të pranishëm më shumë se gjysma e shokëve të klasës, por shprehu edhe keqardhje për ata që s’kanë pasur mundësi t’i përgjigjen ftesës së organizatorëve, por, si do që të jetë, ata kanë qenë të informuar dhe se shpirtërisht kanë qenë të pranishëm në takim që do të mbahet mend si organizim shembullor.

Në fund të orës, kujdestari i klasës nxënësve të pranishëm u dhuroi nga një ekzemplar nga librat e tij.

Në orën 13 u fal namazi i drekës. Abaz Jahja imam. Pas namazit, drejtori i Medresesë prof. Ibrahim Idrizi mbajti fjalë rasti.

Nxënësve të kësaj gjenerate u dëshiroi mirëseardhje kurse organizatorët Emin ef. Limani, Ramadan Ramadani dhe Asim Ibrahimi i përgëzoi për këtë organizim shumë të qëlluar, pas etheve pandemike që sollën trishtime e lemeri në mbarë botën.
Përveç aktiviteve në kuadër të godinës së Medresesë, të pranishmit patën rastin të shohin edhe objektin e rinovuar të internatit nga Fondacioni “TIKA”.

Pas vizitës së internatit, në hapësirën ndërmjet objektit të Medresesë dhe internatit, ashtu siç u veprua në mesxhid, në korridor, nëpër klasë, u bënë një sërë fotografish.

Pjesa e dytë e këtij takimi ishte paraparë të vazhdohet në një restoran afër Sarajit. Vend mjaft piktoresk. Për të gjithë të pranishmit, nxënësi i kësaj gjenerate, Lulzim Islami, shtroi drekë. Mbasi ishte dita e tretë e Bajramit, me të drejtë mund të konsiderohet Drekë Bajrami.
Në këtë solemnitet, enkas për takimin e gjeneratës, nga Ankaraja kishte ardhur edhe Sabri Demiri, KryeKëshilltar i Kryetarit të Republikës së Turqisë dhe i emëruar special për mbarë Ballkanin, Rexhep Tajjib Erdogan.

Sabri Demiri, si nxënës i kësaj gjenerate, shprehu gatishmërinë që Medresesë, përmes asociacioneve turke që veprojnë në Maqedoni, sidomos përmes TIKA-s, të ndihmojë edhe më tej në meremetimin e mësojtoreve dhe në mirëmbajtjen e këtij institucioni të dijes, që ka historinë më të bujshme të medreseve në Ballkan.

FOTO: