Uka Aliti për zjarrin në Tetovë: Kemi parandaluar fatkeqësi të madhe

Gjithandej po rrjedh ujë nga cisternat e veturave zjarrfikëse. Tymi ende del nga kulmet e shtëpive. Kulmet e katër shtëpive në lagjen Kolltuk të Tetovës janë shkrumbuar.

Zjarrfikësit ende veprojnë për të parandaluar shpërndarjen e zjarrit në shtëpi të tjera.

Reklame

“Kemi bërë punë të madhe. Zjarri do ta përfshinte tërë lagjen”, u shpreh shefi i Zjarrfikësve, Uka Aliti teksa raportonte për gjendjen para kreut të Tetovës, Bilall Kasami.

Denoncimi ka qenë në ora 19:05, ndërsa për pak minuta kanë arritur në vendngjarje zjarrfikësit. Ata ende po intervenojnë në terren.

“Në vendngjarje kemi dalë me katër makina dhe 15 zjarrfikës. Kemi arritur shumë shpejtë. Kemi dhënë maksimumin njëherë për ta parandaluar shpërndarjen e zjarrit dhe më pas për të lokalizuar. Fatmirësisht them se të lënduar nuk ka, por tre – katër objekte janë dëmtuar nga shpërthimi i zjarrit dhe është ka vetëm dëm material”.

“Zjarri është lokalizuar por zjarrfikësit do të qëndrojnë aty deri vonë”, tha Aliti.