‘Unë jam arbëreshe’: Njihuni me Dona Bredi, politikanen e fuqishme shqiptare në Ohajo të Amerikës

Unë jam arbëreshe. Kështu e fillon intervistën e vet për gazetën Lajm dhe Lajm Tv Dona Bredi, politikane e fuqishme në Klivlend të Ohajos, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prejardhja e familjes së saj është nga Picari i Gjirokastrës, kurse para 500 viteve janë shpërngulur në fshatin Sao Paolo të Italisë. Edhe pse nuk e njeh mirë gjuhën arbëreshe dhe intervistat i bën në gjuhën angleze, Dona Bredi krenohet me rrënjët e saj shqiptare.

Sinkron, Dona Bredi, politikane arbëreshe në Ohajo, SHBA

Reklame

Po unë jam arbëreshe, familja ime ka prejardhje nga Picari. Paraardhësit e mi janë shpërngulur në Itali në kohën e invadimit otoma, në një fshat të vogël shqiptar San Paolo Albaneze para 500 viteve. Kamë qenë e kam vizituar vendin e të parëve të mi, ishte mjaft interesante, sepse thuajse me secilin prej banorëve jam familjar. Në atë fshat jetojnë 300 banorë. Ishte interesante për mua të gjurmojë të kaluarën time. U takova me kryetarin e komunës.

Kjo është e kaluara ime. Unë gjithnjë jam rritur me vetëdije mjaft të fuqishme për prejardhjen shqiptare. Stërgjyshja ime ka ardhur në SHBA në vitin 1898. ajo ka qenë nga San Paolo, kurse bashkëshorti i saj nga malet e rrethinës së Fërnetit.

Jam ndikuar fuqishëm nga kultura shqiptare që kur kam qenë fëmijë, me gatimet shqiptare, ndejat familjare, festat. Për mua ka qenë me rëndësi të madhe të jem e lidhur me komunitetin shqiptar.

Klivlendi është njëri ndër metropolet më të mëdha në mbarë Amerikën, kurse Dona Bredi është këshilltare me ndikim të madh në këtë metropol, nga radhët e Partisë Demokratike. Ndikimin në politikë, ajo e shfrytëzon në të mirë të komunitetit shqiptar në këtë qytet të madh.

Sinkron, Dona Bredi, politikane arbëreshe në Ohajo, SHBA

Historia e angazhimit tim në Shoqatën Shqiptaro Amerikane fillon në vitin 1992, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe kur shqiptarët filluan të vijnë këtu. Në atë kohë nuk kishte shumë njerëz në Klivlend që flisnin shqip. Unë kisha nje teze e cila ende fliste shqip dhe ajo filloi të punojë bashkë me disa njerëz të komunitetit shqiptar këtu.

Një nga anëtarët tanë, Arëidej Jani më kontaktoi dhe më tha se edhe ne duhet të punojmë si komunitetet tjera dhe të formojmë Shoqatë, ku shqiptarët mund ta kultivojnë kultuën, gjuhën e tyre, të festojnë ditën e flamurit. Unë i thash se kjo ëhstë ide shumë e mirë. Kështu që në vitin 1998 ne formuam Shoqatën Shqiptaro Amerikane në Klivlend, Ohajo. Mbajtëm një takim të madh në Kishën shqiptare dhe unë u zgjodha kryetare. Formuam këshillin dhe filluam çdo vit ta shënojmë ditën e flamurit.

Dona Bredi është koka e komunitetit shqiptar në Klivlend, kurse bashkëpunëtorët e saj më të afërt janë Ajaz Emini, Sako Satka, Adem Meta, e aktivistë tjerë shqiptarë.

Falë angazhimit të saj dhe të Shoqatës Shqiptaro Amerikane në Klivlend, në parkun më të njohur të këtij qyteti ekziston edhe këndi i shqiptarëve, ku është vendosur përmendorja e Nënë Terezës.

Sinkron, Dona Bredi, politikane arbëreshe në Ohajo, SHBA

Kanë kaluar më shuam se 20 vite që kur është themeluar (shoqata) dhe fëmijët tanë tani janë rritur, por ata ende e dinë se i takojnë komunitetit shqiptar këtu.

Më vonë, një punë e madhe që kemi realizuar ishte kopshti i kulturës shqiptare dhe vendosja e bustit të Nënë Terezës. Kjo na bën të ndihemi krenarë si komunitet.

Duhet ta ruajmë gjallë identitetin dhe kulturën shqiptare te gjeneratat e reja. Kjo është shumë e rëndësishme. Edhe në bordin që kemi si shoqatë, kemi mjaft anëtarë të rinj.

Kemi punuar mjaft, gjatë këtyre dy viteve. Kemi themeluar shkollën shqipe dhe fëmijët po e mësojnë mirë gjuhën. Përveë që shënojmë ditën e flamurit, organizojmë edhe të ashtuquajturin Piknik Shqiptar, kur shqiptarët grumbullohen te Kopshti Shqiptar. Sa i përket të ardhmes, Shoqata shqiptare dhe komuniteti shqiptar ka për synim të ruajë kulturën tonë, kemi shumë njerëz të respektuar brenda komunitetit tonë. Shqiptarët këtu janë të respektuar dhe të njohur për punën e tyre të sinqeritetë, për dinjitetin e tyre, por edhe si qytetarë dhe familjarë shumë të mirë.

Shoqata Shqiptaro Amerikane në Klivlend të Ohajos posedon traditë të pasur me aktivitete të realizuar. Këto aktivitetet kulmin e tyre e kanë arritur gjatë krizës së Kosovës. Në vitin 1999 kjo Shoqatë ka marrë një detyrë speciale nga presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, detyrë që e ka kryer me sukses.

Sinkron, Dona Bredi, politikane arbëreshe në Ohajo, SHBA

Një gjë, që është me rëndësi të madhe të përmendet është se në vitin 1999 Shoqata Shqiptaror Amerikane në Klivlend është zgjedhur nga administrata e Klintonit në mesin e pesë Shoqatave për të pranuar refugjatë nga Kosova. Kështu, unë bashkë me disa njerëz tjerë, u angazhuam mjaft në pranimin e refugjatëve. Siç e dini, ishin momente të vështira për njerëzit që erdhën këtu, kishin ardhur pa marë asgjë me veti, vetëm një çantë në dorë, prandaj ne u angazhuam që ti vendosim nëpër shtëpi, të sigurojmë ushqim, përkujdesje mjekësore, punë, e kështu me radhë.

Në Klivlend jetojnë 6 deri 7 mijë shqiptarë. Numri i tyre nuk është i madh si në kryeqendrat tjera amerikane Nju Jork, Çikago, Detroit, Nju Xhersi, Boston e Milvoki, por falë organizimit të mirë që kanë, ata po ia dalin me sukses të organizohen si komunitet me ndikim.

Sinkron, Sako Satka, biznesmen shqiptar në Ohajo, SHBA

Sinkron, Adem Meta, profesor kolegji në Ohajo, SHBA

Shqiptarët që takuam në shtetin Ohajo të Amerikës kanë ardhur para 50 ose 60 viteve. Disa kanë ardhur më herët, disa më vonë, por për të gjithë ata është e rëndësishme që shqiptarinë tua lënë trashëgimi gjeneratave të ardhshme.

Sinkron, Juxhin Shazivari, shqiptar në Klivlend, Ohajo, SHBA

Shqiptarët janë komunitet relativisht i vogël, por dëshira dhe vendosmëria për të ruajtur gjurmët e tyre në Klivlend është e madhe. Flamuri kuq e zi valon në kopshtin më të madh të qytetit edhe në borë edhe në shi, kurse bashkatdhetarët tanë premtojnë se kështu do të valojë edhe shumë dekada e shekuj në të ardhmen.