Universiteti i Tetovës – Telegram ngushëllimi për profesorin Ataullah Aliun

Advertisment

Sot, para namazit të xhumasë, pas një sulmi në zemër, Hoxha hfz. Ataullah Aliu ia dorëzoi shpirtin Krijuesit. Namazi i xhenazes do të falet të shtunën (19 shtator) në drekë te xhamia e vjetër e Hasanbegut, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e Kamenikut.

I ndjeri ka shërbyer si imam dhe ishte edhe i punësuar në Univerisitetin e Tetovës. Është i njohur edhe si autor i librit Kurani për disa dukuri negative të njeriut.

Reklame

Ndërkohë Universiteti i Tetovës ku ka ligjeruar i ndjeri Ataullah Aliu dërgoi telegram ngushëllime në faqen zyrtare në Facebook.

“Programi studimor i Filologjisë orientale, sot ka humbur njërin prej profesorëve të saj, Doc. Dr. Ataullah Aliun. Profesori ynë, i cili nga viti 2012 ishte i angazhuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, u lind më 28 maj 1957, në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës, ku edhe e kreu shkollën fillore, ndërsa shkollimin e mesëm e mbaroi në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Studimet deridiplomike i vijoi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës – Dega e Orientalistikës.

Profesor Ataullahu me sukses të plotë i ka kryer edhe studimet e magjistraturës dhe të doktoratës në Universitetin Ndërkombëtar të Novi Pazarit. Veprimtaria e tij arsimore-shkencore është gjithëpërfshirëse, si në lëmin e botimeve, përkthimeve dhe të hulumtimeve shkencore. Si intelektual i njohur, me punën e tij ka lënë gjurmë edhe në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin Filozofik. Përmes këtij telegrami u shprehim ngushëllimet tona familjes së Tij, kolegëve, miqve dhe studentëve, të cilëve u shërbeu me përkushtim të lartë.

U prehtë në paqe!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Universitetit të tetovës. /SHENJA