Vaksina e Oksfordit kundër koronavirusit shkakton reagim imunitar

Advertisment

Një vaksinë kundër koronavirusit, e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, duket se është e padëmshme dhe se e trajnon sistemin imunitar.

Testimi i saj, i cili ka përfshirë rreth 1,077 njerëz, ka treguar se pas injektimit, në trupat e tyre janë krijuar antitrupa dhe qeliza të bardha të gjakut që mund ta luftojnë koronavirusin.

Reklame

Gjetjet janë premtuese, por është ende herët të dihet nëse vaksina është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje.

“Jemi vërtet të kënaqur me rezultatet e publikuara sot, sepse shohim edhe antitrupa, edhe qeliza T”, tha për BBC-në profesori Andrew Pollard, nga grupi i kërkimeve në Oksford.

“Çështja kryesore që secili dëshiron të dijë është se a funksionon vaksina… dhe ne jemi në një lojë të pritjes”, tha ai.

Antitrupat janë proteina të vogla, të bëra nga sistemi imunitar, që ngjiten në sipërfaqen e viruseve.

Antitrupat neutralizues mund të çaktivizojnë koronavirusin.

Qelizat T, ndërkaq, janë një lloj i qelizave të bardha të gjakut, që ndihmojnë në koordinimin e sistemit imunitar dhe janë në gjendje të zbulojnë se cilat qeliza të trupit janë infektuar dhe t’i shkatërrojnë ato.

Pothuajse të gjitha vaksinat efektive shkaktojnë edhe reagim të antitrupave, edhe të qelizave T.

Studimi i Oksfordit tregon se 90 për qind e njerëzve kanë zhvilluar antitrupa neutralizues pas një doze të vaksinës.

Vetëm dhjetë njerëzve iu janë dhënë dy doza dhe të gjithë ata kanë prodhuar antitrupa neutralizues.

“Ne nuk e dimë nivelin e nevojshëm për mbrojtje, por mund ta maksimizojmë reagimin me një dozë të dytë”, tha profesori Pollard.

Top Channel