Vala e dytë e Covid-19, mjeku italian: Ja kur pritet, por s’do ketë fuqi

Advertisment

Ne duhet të jemi të përgatitur për t’i paraprirë një vale të dytë të infeksionit, por që nuk do të ketë madhësinë dhe shtrirjen së valës së parë, deklaroi Franco Locatelli, anëtar i Komitetit Teknik Shkencor italian (CTS), gjatë një emisioni televiziv.

“Parashikimi nëse dhe kur do të ketë një valë të dytë, është më shumë një parashikim me hamendje, sesa ajo që dinë shkenctarët”, shtoi ai.

Reklame

”Me shumë gjasa kthimi i koronavirusit është më shumë i mundshëm gjatë muajve ftohtë, në fund të vjeshtës ose dimrit, mund të ketë një rikuperim sepse virusi ende qarkullon në shumë vende të botës, siç shohim nga të dhënat e Amerikës Latine dhe Indisë”, theksoi Locatelli.

Emergjencat Civile në Itali raportuan 71 viktima të tjera si pasojë e koronavirusit në vend në 24 orët e fundit. Shifra këto që prej ditësh kanë ulje-ngritjet e tyre, por prej më shumë se 1 javë nuk regjistrohen më shumë se 100 humbje jetësh në ditë.

Rastet e reja kanë pësuar një ulje të lehtë krahasuar me një ditë më parë me 202 të prekur në total, 100 prej të cilëve janë sërish në vatrën italiane të koronavirusit në Lombardi.

Që nga fillimi i pandemisë në Itali kanë humbur jetën 34, 114 persona dhe janë infektuar mbi 235 mijë të tjerë.

Kryeministri Giusepe Conte, ministrja e Brendshme Luciana Lambrogese, dhe ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza, do të merren në pyetje nga prokuroria e Bergamos, pasi të afërm të viktimave të Covid-19 në qytetin e goditur rëndë, kanë kërkuar hetime lidhur me përgjegjësi të mundshme kriminale në menaxhimin e krizës.

Pretendimet lidhen me izolimin e vonuar të zonave të kuqe, veçanërisht ato të Alzanos dhe Nembros. E megjithatë, duket se kryeministri Conte nuk ka dyshime në reagimin e tij ndaj pandemisë, pasi një ditë para se të merret në pyetje tha se nuk ishte aspak i shqetësuar.

“Nuk ka të bëjë as me arrogancën e as me vetëkënaqësinë. Nuk dua të komentoj fjalët e prokurorëve, por do të takohemi të premten dhe do të paraqes të gjitha faktet në dispozicion”, tha Conte.

Siç bëri të ditur një përfaqësues ligjor, 40 padi ishin depozituar në prokurorinë e Bergamos lidhur me menaxhimin e krizës në Lombardi, rajoni verior ku përfshihet edhe Bergamo e ku janë shënuar gjysma e 34 mijë vdekjeve nga Covid-19 në Itali.