Varrezës i del pronari, banorët: Ku të çojmë të vdekurit? (VIDEO)

Banorë të zonës Lanabregas në Tiranë janë ankuar në emisionin Stop në Tv Klan, pasi që prej viteve 2000 kanë paguar lekë tek një banor i zonës, i cili pretendonte se kishte një truall. Ata dhanë paratë që ky truall të përdorej si varrezë.

Rreth 100 familje gjatë kësaj kohe kanë varrosur të afërmit e tyre. Në vitin 2014 del një pronar i ri, i cili pretendon se e bleu këtë tokë dhe nuk kishte dijeni, që aty kishte varre.

Banorët thonë se pronari ka rrethuar tokën ku janë varrezat.

“Ne jemi një komunitet që banojmë një pjesë që nga viti 1996 në këtë zonën e ashtuquajtur Shkoza. Jemi rreth 100 familje. Një komision i ngritur nga ana e këtij komuniteti i përbërë nga 4 deri në 6 veta, kanë kontaktuar me pronarin e kësaj zone dhe kemi blerë një sipërfaqe toke të pakufizuar. Nuk e di nëse ka patur dokument në atë kohë. Kjo pjesë është njohur si varreza e këtij komuniteti. Problemi qëndron që gjatë periudhës e në vazhdim këtu ka një njeri të cilin unë nuk e njoh që po punonte këtu. Ky zotëria pretendonte që në 2014 e ka blerë nga një person të cilin e ka pasur të punësuar”.

“Ai ka vazhduar duke vepruar prapë, duke ngushtuar të gjitha varrezat, të gjitha rrugët hyrëse nëpër varrezat tona. Që në 2012 kam im atë të varrosur në këto varreza”.

“Nuk e dimë a e ka me letra apo pa letra, si është rishitur kjo sipërfaqe toke në një kohë që bashkia duhet ta kishte kompensuar”.

“Para 2-3 javësh erdha se kam edhe plakun pak pa terezi, i sëmurë, edhe thashë të jetë një vend i zënë. Rastisi edhe ai këtu. Më tha mua këtu nuk ke asnjë vend. Erdhi nguli shtyllat. Pastaj zuri vend hajde këtu tha meqënëse e ke hallin, po sa lekë do më paguash. I thashë unë s’paguaj asnjë lekë. Në qoftë se paguan gjithë komuniteti për herë të dytë, do paguaj edhe unë i thashë”.

Gazetarja e Stop bisedoi edhe me pronarin e parë i cili u ka shitur tokën banorëve. Ai thotë se një pjese toke ka qenë e tij dhe jo e gjitha, por dokumente për shitjen e asaj toke nuk ka patur.

“Ka qenë një pronë…prona sipër ka qenë prona ime. Ajo pjesa poshtë ka qenë. Kur e kam pas dhënë unë, ka qenë pronë …kështu me një fjalë s’ka qenë pemtore. Dhe unë iu dhashë atyre një pjesë. Ka qenë pa letra. Ashtu ishte puna, që ato donin një vend të vogël, një vend për varreza. Ajo pjesa ka qenë pa pronar, kur e kam dhënë unë. Edhe tokat janë shit nëpër zyra, ato nuk i kanë kontrolluar hiç. Janë të gjithë të përfshirë. Është bërë një rrëmujë aty, ç’a të them unë”, thotë ai.

Në emisionin Stop ka ardhur edhe vetë pronari aktual i tokës që thotë se e ka blerë. Edhe vetë zotëria kërkon zgjidhje për rastin.

“Për këtë truall të blerë, tokë bujqësore e llojit pemtore të blerë në fund të vitit 2013 unë kam dokumentacionin përkatës shit-blerje dhe unë kam marrë certifikatën e pasurisë. Për të qenë realë dhe të vërtetë, unë nuk e kam ditur që aty ka varre, por blerja është bërë me një përjashtim të vogël mbi bazën e njohjes personale duke qenë edhe miq edhe shokë pune të vjetër dhe kur kam shkuar për ta parë pronën ishte e pyllëzuar, me varreza brenda. Për mua ka rëndësi kjo, që ata të mos evolojnë tek puna ime kur nuk di ku kanë letrat e veta”, thotë pronari i tokës. /tvklan.al