Vdes kreu i Kishës ortodokse serbe, Irinej

Advertisment

Patriarku i Kishës ortodokse Serbe, Irinej, ka vdekur sot në mëngjes si pasojë e komplikimeve nga COVID-19. Lajmi është konfirmuar nga Kisha ortodokse serbe.

Irinej 90 vjeç, u shtrua në një spital ushtarak të Beogradit gjatë mbrëmjes së 4 nëntorit, pasi më parë kishte dalë pozitiv në COVID-19.

Reklame

Kisha ortodokse serbe njoftoi më 17 nëntor se gjendja e patriarkut ishte stabile dhe e qëndrueshme, por më pas, më 19 nëntor, Kisha konfirmoi përmes një deklarate se gjendja e Irinejt ishte përkeqësuar.

Më 1 nëntor, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, udhëhoqi funeralin dhe liturgjinë para varrimit të Metropolitit Amfilohije të Malit të Zi, e cila u ndoq nga mijëra besimtarë. Metropoliti Amfilohije ndërroi jetë më 30 tetor, po për pasojë të COVID-19.

Në varrim, ku ishte i ekspozuar një arkivol i hapur me trupin e mitropolitit, priftërinjtë, shumica e besimtarëve, si dhe disa politikanë, nuk vunë maska dhe as nuk respektuan distancën fizike, shkruan REL.

Trupi Kombëtar i Koordinimit për Sëmundjet Infektive (NCT) i Malit të Zi dënoi me forcë “shkeljen drastike të masave kundër pandemisë”.

Irinej u zgjodh në postin më të lartë në Kishën Ortodokse Serbe, në janar të vitit 2010.

Mediat të pavarura në Serbi dhe ato ndërkombëtare raportuan qysh dje se Irinej ka vdekur, mirëpo të enjten mbrëma, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi një gjë të tillë, duke thënë se është në gjendje të rëndë.

Irinej ishte një prej figurave më kontroverse për shkak të bekimit që u bënte kriminelëve serbë, por edhe për shkak të ndikimit të tij në shoqëri.