Vetëm edhe 130 shtretër të lirë, Hoti: S’kemi ku t’i shtrojmë njerëzit në spitale

Advertisment

Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit të komitetit për vlerësimin e situatës me koronavirus tha se janë 570 pacientë me koronavirus të shtrirë në QKUK dhe spitale rajonale, ndërsa në dispozicion janë 700 shtretër.

Kryeministri paralajmëroi se s’do të ketë falje për askënd që s’i zbaton tri masat e rekomanduara për mbrojtjen e jetës: Mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe higjiena personale. Ai njofoit se inspektorët dhe policët do të jenë në çdo rrugë, lagje dhe vend të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Reklame

“Nga ekspertët vendorë dhe ata ndërkombëtarë rekomandohen vetëm këto tri masa që ruajnë jetën e qytetarëve. Në këtë drejtim Inspektorati dhe Policia e Kosovës duhet të bëjnë punën e tyre, të cilët i kemi fuqizuar me staf shtesë në nivele vendi për të mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave”.
Hoti tha se janë të shqetësuar me mosrespektim të rregullave në disa raste duke përmendur se janë organizuar jashtëligjshëm disa aktivitete sportive dhe protesta në Prishtinë.

“Nuk do të tolerohet. Të gjithë personat në zinxhir duhet të marrin përgjegjësinë për mosrespektim të tyre. Derisa ne po flasim janë 570 qytetarë të shtrirë në Klinikë dhe spitalet regjionale. Po bëjmë të pamundurën për të parandaluar situatën sepse s’kemi ku t’i shtrojmë njerëzit në spital”.

Hoti tha se në ditët në vazhdim do të fillojë dyfishimi apo trefishimi i testimeve, ndërsa tha se po bëhen gati edhe klinika të tjera për të pranuar pacientë me Covid-19, si dhe spitalet private.

“Ministri ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve. Disa aparatura shtesë të dhuruara që i kemi marrë dhe me porositë tona do të dyfishojmë dhe trefishojmë numrin e testimeve. Po shkojmë përpara me një dinamikë të kënaqshme. Kemi porositur vaksinat për gripin sezonal, edhe për vaksinën e Covid19 dhe terapi”.

Ndërkaq, për ankesat e gastronomëve Hoti tha se do t’i takojë ata dhe tha se i kupton kërkesat e tyre, por se në prioritet është ruajtja e shëndetit publik.