Vetëm për një gjë nuk mund ta akuzoni Albin Kurtin

Advertisment

Enver Robelli

Një standard i ri…

Reklame

Vetëm për një gjë nuk mund ta akuzoni Albin Kurtin dhe kjo është esenciale në politikë. Në këto 50 a 60 ditë në pushtet, nuk e pamë në darka të shtrenjta, nuk e pamë duke i mbajtur popullit ligjërata mbi cilësinë e verës franceze (një shishe – 300 euro), nuk e pamë duke iu hedhur tenderëve apo duke ua hequr tatimet oligarkëve, nuk e pamë duke u takuar me persona të dyshuar për krim e korrupsion, nuk e pamë duke iu nënshtruar nëntokës parapolitike, nuk e pamë duke shkuar për pushime në qendra skijimi në Zvicër apo në darka e pushime të shtrenjta në hotele në Gjermani, ku një suitë kushton 25 mijë euro (një natë!), nuk e pamë duke ia rritur rrogën vetes. Këta të tjerët i keni parë qe 20 vjet.

Si çdo politikan edhe Albin Kurti nuk është i pagabueshëm dhe si çdo politikan për gabimet e tij eventuale flasin votuesit, herët apo vonë.

Deri atëherë Kosova mbetet një vend i vjedhur të cilin përpiqen ta sundojnë sërish politikanët që e kanë plaçkitur pamëshirshëm, në emër të “luftës çlirimtare” (të cilën vjedhësit e shohin si tender të madh), në emër të “rugovizmit”, në emër të “patriotizmit” e çka jo tjetër. Me integritetin e tij personal dhe të panjollosur me afera korruptive, Albin Kurti ka vendosur një standard të ri në politikë dhe ka premtuar se nuk do ta tradhtojë këtë standard.

Ky standard do të rrisë presionin ndaj partive të tjera për të ndryshuar. Por partive që e kanë bazën në krim e korrupsion, u duhet së paku një dekadë për t’u shkëputur nga kjo trashëgimi e ndyrë. Rrjedhimisht, i bie se duhet ta presin degën në të cilën janë ulur. Aq budallenj nuk janë liderët e këtyre partive. Mbi të gjitha kjo shoqëri ka nevojë urgjente për politikanë që nuk vjedhin! Kur qeverisin politikanë që nuk vjedhin, zhduken edhe përkrahësit e vjedhësve. Aq e thjeshtë është kjo punë.