Vijon dyndja e qytetarëve nëpër banka në Tetovë, autoritet apelojnë për respektimin e masave

Advertisment

Pavarësisht se një ditë më parë hyri në fuqi mënyra e re e marrjes së pensioneve në bazë të shumës dhe në bankomate, prapë se prapë vijon dyndja e qytetarëve përpara bankave.

“Siç e shihni prapa meje, banorët distancë nuk mbajnë dhe një pjesë e tyre nuk mbajnë madje as maska. Ndërkohë, rekomandimet për përdorimin e bankomateve, si duket nuk kanë hasur në veshë të hapur. Bankomati vazhdon të jetë i zbrazur, ndërkohë që shumica e tyre që presin të marrin pensionet presin në turma të mëdha përpara dyerve të bankës”.

Reklame

Nga policia paralajmërojnë qytetarët nëse apelet e tyre vijojnë të hasin në vesh të shurdhët do ti sanksionojnë shkelësit e masave.

Problematikë kryesore e SPB Tetovë, mbetet grumbullimi i qytetarëve para objekteve vitale si banka, posta e kështu me radhë. Apelojmë deri tek qytetarët që të respektojnë masat e Qeverisë ose do të merren masat adekuate, pra gjitha autorizimet policore për të bërë parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Gjatë gjithë kohës, kolegët në terren janë duke informuar përmes megafonit qytetarët që të mbajnë distancën sociale dhe të respektojnë rregullat për parandalimin e kësaj pandemie – tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Edhe nga Shtabi i Krizës në Tetovë tërheqin vërejtjen se vetëm përmes respektimit në përpikëri të masave mund të pengohet përhapja e virusit.

Dua të theksoj faktin se në Tetovë janë identifikuar edhe pesë burime të reja të infeksionit me Kovid 19, prandaj edhe një herë themi se është shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë shumë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat dhe rekomandimet e organeve kompetente shëndetësore – deklaroi Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Gostivari nga ana tjetër kërkon nga Qeveria lehtësimin e masave restriktive. Kreu i Komunës Arben Taravari kërkon që kafenetë të fillojnë me punë dhe të zgjatet liria e lëvizjes gjatë ditëve të punës.

Propozojmë si shtab komunal lehtësime të caktuara në ditët në vijim edhe atë, shkurtimi i orës policore, pra të nisë nga ora 21 dhe deri në pesë të mëngjesit kurse, për fund javë edhe për festa të shtunën të dielën të jetë në ora 15 dhe të përfundojë të nesërmen në ora 5 të mëngjesit. Gjithashtu, propozojmë deri tek shtabi qendror që kafenetë të mund të hapen në formën merr dhe shko – u shpreh Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.