Virusi korona, nuk ka raste të reja në vend

Nuk ka raste të reja me virus korona në vend. Gjendja e çiftit nga Dibra të cilët u prekën nga virusi është stabile megjithëse ende vazhdojnë të qëndrojnë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup. Në gjendje stabile është edhe pacientja e parë e prekur nga virusi korona tek e cila gjatë ditës së nesërme do të bëhet një test plotësues për t’u verifikuar rezultati, gjegjësisht për t’u parë nëse shërimi është i plotë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se më 10 mars mbaron periudha e izolimit të të gjithë bashkudhëtarëve të cilët më 26 shkurt ishin bashkë me të prekurën e parë.

Ndërkohë kompania ajrore “Wizzair” njoftoi se do të suspendohen fluturimet për Milano, Trevizo dhe Bergamo për shkak të mbylljes së pjesës veriore të Italisë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit Korona. Fluturimet nga Shkupi dhe Ohri drejt këtyre qyteteve do të ndërpriten deri më 3 prill.

Reklame

Ndërkohë në Itali situata sa vjen e rëndohet. 16 milion banorë janë vendosur në karantinë në Italinë veriore ndërsa banorët në 15 provinca qendrore dhe veriore të Italisë duhet të marrin leje për të udhëtuar. Numri i viktimave atje ka shkuar në mbi 230 ndërsa i të prekurve deri në rreth 6000. Milano dhe Venediku janë tashmë të përfshira nga ky virus. Qeveria italia njoftoi se do të mbyllen tërësisht shkollat, palestrat, pishinat dhe qendrat e skijimit deri më datën 3 prill.

Ndërkohë numri i të prekurve nga virusi i rrezikshëm korona po rritet edhe në shtetet e tjera të botës. Irani ka konfirmuar më shumë se 6 mijë të prekur dhe 145 viktima. Në botë, numri i të prekur ka shkuar në më shumë se 100 mijë persona ndërsa rreth 3 mijë e 500 persona kanë humbur jetën si pasojë e komplikimeve të shkaktuar nga ky virus.