Vizitë zyrtare në Shqipëri e këshillit komunal të Tetovës

Gjatë fundjavës Këshilli Komunal i Tetovës realizoi një sërë takimesh e vizitash në Shqipëri, ku së pari këshilltarët komunal në krye me kryetarin Bekim Memeti dhe stafin e tij u pritën nga kryetari i komunës së Elbasanit, Gledjan LLatja dhe kryetari i këshillit bashkiak, Hektor Çiftja.

Takimet vazhduan dhe në këshillin bashkiak të komunës së Durrësit ku u pritën nga kryetari i këshillit bashkiak, Ani Dyrmishi dhe drejtori për arsim, kulturë, sport dhe rini, Ardian Gurra. Ndërkaq në bashkinë e Tiranës ishte nënkryetari i kësaj bashkie, Andi Seferi që mirpriti delegacionin nga Tetova.

Reklame

Këshilltarët komunal shkëmbyen mendime dhe ide të ndryshme të cilat u shprehën se do të mundohen t’i vendosin në praktikë edhe në komunën e Tetovës.

Pikat kyçe për të cilat u diskutuan ishin kultura, sporti, administrimi më efikas me ndërmarrjet publike si dhe projektet me interes të përbashkët. Gjithashtu sa i përket sferës së arsimit u diskutua që në të ardhmen të realizohet një memorandum bashkëpunimi mes shkollave të Tetovës dhe atyre që operojnë në kuadër të bashkive të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Përveç vizitave zyrtare në këto institucione, delegacioni nga këshilli komunal i Tetovës kishte mundësinë që të vizitojë kalanë mbi 2000 vjeçare të Elbasanit, amfiteatrin e vjetër dhe muzeun arkeologjik të Durrësit, poashtu dhe qendrën e Tiranës, kalanë e Toptanëve dhe parkun e qytetit.

Në këtë vizitë morën pjesë një numër i konsiderueshëm i këshilltarëvë komunal të përfaqësuar nga subjektet politike si Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE.