VMRO para “divorcit” me Arsovskën

Edhe drejtori i deponisë së Drisllës, ndërmarrje kjo e Qytetit të Shkupit, Jane Micevski, është larguar nga pozita. Këtë informacion ai e ka bërë të ditur për opinionin përmes profilit të tij në Facebook, ku ka theksuar se nuk ka pasur bashkëpunim me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, siç ka shkruar ai. “Si drejtor i deponisë së Drislës dua të theksoj se në këtë dhjetëmujor pasi kam marrë në dorë ndërmarrjen kam bërë stabilizimin dhe konsolidimin e saj dhe kam filluar një proces investimesh që synojnë përmirësimin e punës së të njëjtit.

Por çdo sukses individual i çdo ndërmarrje nuk është i plotë nëse nuk merr mbështetje nga kolektiviteti në të cilin duhet të funksionojë Drislla, që është Qyteti dhe personi i parë i tij”, shkruan Miceski në Facebook. Në ndërkohë, me Micevskin, në katër ka arritur numri i drejtorëve të ndërmarrjeve publike që largohen ose dorëhiqen. Ditë më parë, u shkarkua drejtori i “Ujësjellësit”, sekretari i Qytetit të Shkupit, si dhe Bojan Hristovski nga funksioni ushtrues detyre drejtor i ndërmarrjes “Parkingu i Qytetit”.

Megjithatë, që dje, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska emëroi Marjan Mitovskin për ushtrues detyre drejtor i N.P. “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, pas shkarkimit të djeshëm të Zllatko Perinskit, kuadër i VMRO-DPMNE-së. Qyteti i Shkupit nga sot ka edhe sekretar të ri, pasi dje u largua Gjoko Vellkovskin, gjithashtu kuadër i VMRO-DPMNE-së. Sekretari i ri do të jetë Zoran Gligorov, i cili ishte shef i kabinetit të Arsovskës për tre deri në katër muajt e fundit.

“Për shkak të punës joadekuate, mosdhënies së rezultateve dhe mosrespektimit të udhëzimeve të Qytetit të Shkupit, drejtorët kanë marrë ofertë për dorëheqje ose shkarkim. Qyteti i Shkupit është qyteti i të gjithë Shkupit, andaj të gjithë bartësit e këtyre posteve përgjegjëse drejtuese në qytet janë të obliguar t’u raportojnë qytetarëve, e jo kryetarëve të partive. Shkupi duhet të jetë qytet modern, qytet i të gjithë shkupjanëve”, tha Arsovska.

Në ndërkohë, në adresë të Arsovskës kanë arritur edhe ankesat e para të VMRO-së, partisë që e mbështeti dhe i mundësoi fitoren e Qytetit të Shkupit. Zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, duke komentuar dorëheqjet e fundit të kuadrove të partisë nga funksionet në Qytetin e Shkupit, tha se VMRO-ja nuk është e kënaqur me punën e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

“Arsyet për të cilat funksionarët e VMRO-DPMNE-së kanë dhënë dorëheqje po i shohim në opinion përmes deklaratave të tyre. Por si parti që e ka mbështetur projektin për Shkup modern dhe që mbështeti kandidaturën e pavarur të Arsovskës, sinqerisht duke besuar në këtë koncept, mund të them se nuk jemi të kënaqur nga puna e deritanishme të kryetares dhe vlerësojmë se pak është realizuar”, tha Miteva.