Vuçiq pas takimit me ndërmjetësuesit e BE-së: S’do të ketë njohje të Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë në asnjë mënyrë Kosovën.

Këtë e ka thënë në një postim që ka bërë në rrjetin social “Instagram” gjatë takimit me ndërmjetësuesit e BE-së, që pas Prishtinës, shkuan në Beograd.

“Nuk do të ketë diskutim për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës! Aktualisht po flas me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Republikës së Francës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jo dorëzim! Rroftë Serbia”, ka shkruar presidenti i Serbisë.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarit e kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, fillimisht zhvilluan një takim me kryeministrin Albin Kurti.