Washingtoni blindohet në prag të inaugurimit presidencial

Advertisment

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një su lm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.

Reklame

Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.

Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e zotit Biden.

Dy ditë para marrjes së pushtetit, Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden, kaluan një pjesë të së hënës duke bërë punë vullnetare në një bankë ushqimore, në qytetin e madh lindor të Filadelfias në Pensilvani. Ata e bënë një gjë të tillë në Ditën Kombëtare të Shërbimit që përkujton festën vjetore që nderon udhëheqësin e të drejtave civile, Rev. Martin Luther King Jr.

Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të zotit Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit në SHBA.

Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të zotit Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.

Ndërsa mbërrijnë në Uashington të Martën nga shtëpia e tyre në shtetin lindor të Deluerw, Joe dhe Jill Biden, si edhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit Lincoln, për të nderuar gati 400,000 amerikanët që kanë vd ekur në pandeminë e koronavirusit.

Monumente të tjera në të gjithë SHBA, përfshirë Empire State Building në Nju Jork dhe Space Needle në Seattle, Washington, po ndezin drita në të njëjtën kohë me ngjarjen e Uashingtonit.

Zona e afërt përreth Kapitolit, ku zoti Biden dhe zonja Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.

Autoritetet kanë mbyllur gjithashtu Shëtitoren Kombëtare si edhe rrugët dhe disa stacione metroje në qendrën e Uashingtonit. Urat që lidhin Virxhinian me Uashingtonin gjithashtu po mbyllen. Mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe oficerë të rendit janë vendosur në të gjithë zonën për të marrë masat ndaj ndonjë dhune të mundshme.

Megjithë shqetësimet e shtuara të sigurisë, zoti Biden planifikon ta bëjë ceremoninë e inaugurimit në vendin tradicional.

“Plani ynë dhe pritshmëria jonë është që Presidenti i zgjedhur Biden të vërë dorën në Bibël me familjen e tij jashtë në anën perëndimore të Kapitolit në datën 20,” tha Kate Bedingfield, drejtoresha e ardhshme e komunikimeve e zotit Biden, në një intervistë me emisionin “This Week”, të televizionit ABC të dielën.

Ajo tha se ekipi i zotir Biden ka “besim të plotë në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e tyre të cilët kanë punuar për më shumë se një vit në planifikimin e një inaugurimi të sigurt.”

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ose të urojë zotin Biden, megjithëse e pranon se do të ketë një “administratë të re” të mërkurën.

Zoti Trump, duke injoruar 160 vjet të traditës amerikane të një presidenti në largim që merr pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij për të demonstruar një transferim paqësor të pushtetit, ka njoftuar se ai planifikon të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Nënpresidenti Mike Pence po planifikon të marrë pjesë.

Zoti Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq ndërsa shkon drejt avionit presidencial Air Force One për të shkuar në rezidencën e tij në Florida.