WSJ: Sa është vdekjeprurës koronavirusi i ri?

Advertisment

Gjashtë muaj pas fillimit të pandemisë së koronavirusit të ri, shkencëtarët janë afër gjetjes së një përgjigjeje për një nga pyetjet kryesore në lidhje me virusin – Sa është vdekjeprurës?

Studiuesit që fillimisht i kanë analizuar të dhënat për shfaqjen e grupimeve në anije dhe studimet e fundit me mijëra njerëz në pikat e nxehta, tani po kryejnë dhjetëra studime për të përcaktuar numrin e vdekjeve nga virusi.

Reklame

Ato studime, të cilat hulumtonin vdekjet nga numri i përgjithshëm i personave të infektuar, përfshirë raste të paregjistruara, treguan se Kovid-19 “vrau” midis 0.3 për qind dhe 1.5 për qind të të infektuarve. Shumica e studimeve tregojnë se shkalla e vdekshmërisë është midis 0.5 për qind dhe 1.0 për qind, që do të thotë se për çdo 1000 të infektuar, mesatarisht nga pesë deri në dhjetë njerëz vdesin, sipas “The Wall Street Journal”.

Kjo dëshmon në këtë fazë që koronavirusi i ri është më vdekjeprurës se sa gripi sezonal, por jo aq vdekjeprurës sa Ebola ose sëmundjet e tjera infektive që janë shfaqur vitet e fundit. Sidoqoftë, koronavirusi vret më shumë njerëz se sa disa sëmundje më vdekjeprurëse, pjesërisht për shkak të infektivitetit të tij më të lartë.

Autoritetet shëndetësore dhe shkencëtarët po përpiqen ta përcaktojnë vdekshmërinë e virusit për ta kuptuar më mirë rrezikun e sëmundjes, duke llogaritur sa njerëz mund të vdesin dhe cilat masa mund të merren për ta kufizuar përhapjen e tij.

Është e vështirë të matet, por hulumtimi ka gjetur një sinjal të qartë, tha Timoti Rasel nga Shkolla në Londër e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale.

Studimi i Raselit dhe kolegëve të tij i botuar në shkurt i shqyrton të dhënat nga Kina dhe pikat e nxehta të kroçeres “Dajmon princes” Ata zbuluan se vdekshmëria e koronavirusit është 0.6 për qind.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA zbuluan se prapa çdo infeksioni të konfirmuar me koronavirus, ka rreth 10 raste të tjera që nuk janë regjistruar në fillim të majit.

Për të marrë një pamje më të qartë të vdekshmërisë nga ky virus, shkencëtarët duhet ta gjejnë numrin e saktë të rasteve të humbura ose asimptomatike, si dhe vdekjet e pakonfirmuara që lidhen me koronavirusin.

Analiza e 26 studimeve të ndryshme zbuloi se vdekshmëria në pjesë të ndryshme të botës ishte rreth 0.68 për qind – duke filluar midis 0.53 për qind dhe 0.82 për qind, sipas një studimi të publikuar në medRxiv në korrik, i cili ende nuk është rishikuar nga hulumtues të tjerë.

Që nga 10 korriku, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kumtuan që niveli i vdekjes është 0.65 për qind.

Vdekshmëria është e ndryshme në grupmoshat e ndryshme. Për ata mbi 65 vjeç, shkalla e vdekshmërisë është 5.6 për qind – 40 herë më shumë rrezik sesa për dikë rreth moshës 50 vjeç.

Nëse vdekshmëria mesatare nga koronavirusi është rreth 0.6 për qind, do të thotë që virusi është 6 herë më vdekjeprurës sesa gripi sezonal (0,1 për qind). Sëmundjet si Ebola, SARS dhe MERS janë shumë më vdekjeprurëse – midis 10 për qind dhe 50 për qind.

Veçmas, shumë mjekë janë të shqetësuar se koronavirusi i ri mund të shkaktojë komplikime afatgjata te disa pacientë, veçanërisht ata që trajtohen në spitale me javë të tëra.