Xhaferi: Liria e shprehjes në gjuhën amtare luan rol thelbësor në mbrojtjen e të gjitha të drejtave të tjera

Liria e shprehjes në gjuhën amtare si një e drejtë themelore e njeriut luan rolin thelbësor në realizmin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të tjera. Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve që u miratua më 14 mars të vitit 2018, mund të themi se është krijuar një bazë solide drejt barazisë së gjuhëve dhe është vënë edhe një gur përforcues në demokracinë e re që e zhvillojmë në shtetin tonë, theksoi sot kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, në hapjen e konferencës ndërkombëtare shkencore treditore “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në RMV” në organizim të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, transmeton gazeta KOHA.

Xhaferi theksoi se ngritja e vetëdijes publike për rëndësinë e përdorimit të gjuhës amtare nuk është trend por është nevojë e përditshmërisë reale, dhe jo vetëm këtu në vendin tonë, në fqinjësinë tonë, por në të gjithë botën, duke shtuar se promovimi i gjuhës amtare është me rëndësi thelbësore për shoqëritë e qëndrueshme, siç është edhe shoqëria jonë multientike.

“Është me rëndësi të hiqen paragjykimet, të gjithë faktorët të punojnë në drejtim të paraqitjes së përparësive të një shoqërie shumetnike, që do të thotë edhe shumë gjuhësore ndër të tjerat, të mësohemi të dëgjojmë njëri tjetrin, të mësojmë të kemi respekt ndaj njëri tjetrit dhe ndaj gjithë asaj tërësie që e bën një individ të veçantë, përkatësia e tij etnike, gjuha që e flet, besimi të cilit i përket, shtresa sociale prej të cilës vjen, gjendja ekonomike, gjinia, profesioni dhe një sërë karakteristikash tjera”, porositi Xhaferi.

Ai shtoi se Kuvendi është institucioni i parë i cili e hapi rrugën për realizimin e kësaj të drejte themelore, ishte në fakt edhe institucioni pionier në të cilin filloi të bëhet përkthimi i materialeve që vinin në institucion, që përpiloheshin në Kuvend dhe që u shpërndaheshin deputeteve dhe shërbimit në dy gjuhë. Kuvendi po ashtu, ishte institucioni i parë ku bëhej edhe interpretimi konsekutiv dhe simultan i folësve në seancat e trupave punues dhe në seancat plenare.

“Medoemos e kam të them se fillimet ishin të vështira, duke e pasur parasysh tërë kontekstin politik, numrin e vogël të kuadrove në proporcion me vëllimin e madh të punës dhe pajisjen modeste me fjalorë. Megjithatë, me angazhimin e të gjitha palëve të përfshira në procesin e implementimit të kësaj të drejte, sot, mund të them se kemi shtruar një bazë goxha solide, me kuadro tani më me përvojë shumëvjeçare”, plotësoi Xhaferi.

Zëvendëskryeministri dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Sadulla Duraki paralajmëroi se në të ardhmen do të përqendrohen në dy sfera -njëra është zbatimi efikas i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa e dyta të gjendet zgjidhje më e mirë për krijimin e kapaciteteve, e veçanërisht, siç tha ai, kemi nevojë për përkthyes.

“Që të kemi proces të suksesshëm dhe të koordinuar ne si Ministri do të vazhdojmë plan aksional trevjeçar i cili do të përmbajë në hollësi masa të cilat do të ndërmerren për zbatim më të mirë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në vendin tonë. Kur jemi te Programi për ngritjen e vetëdijes për zbatimin e Ligjit të gjuhëve që përgatitet në Qeveri, mendoj se është ide e mirë, sepse jo vetëm që e ngrit vetëdijen për zbatimin e rregullave ligjore, por njëkohësisht hap debat publik për temë të rëndësishme”, tha Duraki.

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve në fund të ditës së parë të konferencës nënshkroi dy Memorandume për bashkëpunim me Universitetin e Evropës Juglindore dhe me Universitetin “Nëna Terezë”.(koha.mk)