Zaev me porosi për Ahmetin: Mandati i takon partisë së parë fituese të zgjedhjeve dhe jo asaj të tretë

Advertisment

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev hedh poshtë pritjet e BDI-së se mandati për formimin e shumicës mund t’i takojë partisë së Ali Ahmetit e cila doli subjekt i tretë në zgjedhjet e 15 korrikut. Zaev në intervistë për “A1On” në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka bërë me dije BDI-së se mandatarit mund t’i bashkohen vetëm ato të cilët janë të vendosur për vazhdimin e rrugës Evropiane, ekonomike dhe të drejtësisë.

Në demokracinë parlamentare është shumë e qartë se kush e fiton mandatin. Mandati i takon partisë së parë dhe jo partisë së tretë. Nuk dua të komentoj më tepër. Arroganca dhe nënçmimi i qytetarëve nuk sjellin rezultat -tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Reklame

Zaev shton se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, por për tejkalim të krizës shëndetësore dhe ekonomike.

Mjaftë kishte zgjedhje të parakohshme. Është koha që secili nga ne të angazhohet edhe më shumë, shteti të ecë me shpejtë përpara. Kjo bëhet vetëm nëse kemi Qeveri e cila punon dhe jo Qeveri e cila organizon zgjedhje – u shpreh Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Kushtetuta obligon presidentin që 10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, mandati për formimin e Qeverisë t’i jepet kandidatit, përkatësisht partive të cilat kanë shumicë në Kuvend. Para ndarjes së mandatit, Presidenti Stevo Pendarovski pritet të thërras takim liderësh.

Adrian Kerimi