Zaev në pushime, Mickoski në bisedime! Të gjithë të hapur për të folur me të gjithë, e asnjë rezultat konkret

Advertisment

Pasi i fitoi zgjedhjet parlamentare me dy deputetë më shumë se rivalja VMRO-DPMNE, kreu i LSDM-së Zoran Zaev shkoi për pushime. As ai, e askush nga partia nuk paraqitet në media, për të folur se çfarë do të bëjnë për formimin e qeverisë. Këtë punë e kanë lënë për pas festës së Ilindenit, e megjithatë sot Zaev e theu heshtjen disaditore, duke dhënë një intervistë me shkrim.

“Procesi i bisedimeve për formimin e përbërjes së re qeveritare do të fillojë menjëherë pas festave të Ilindenit. LSDM-ja është e madhe, zemërgjerë dhe parti e hapur dhe do të flasim për koalicion me të gjitha partitë që janë të gatshme ta pranojnë konceptin evropian dhe demokrat”, ka deklaruar kreu i LSDM-së Zoran Zaev, në intervistë për A1on.

Reklame

E deri sa Zaev shijon pushimet, i sigurt se mandatin për formimin e qeverisë e ka në xhep, opozitarët nga ana tjetër duket se po lëvizin çdo gur për të parë se si të vijnë në pushtet. Mbrëmë Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së autorizoi kryetarin Mickoski që “të vazhdojë me bisedime në përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare”.

“Ne që nga fillimi jemi në fazë bisedimesh, ato janë në rrjedhë e sipër, nuk kemi asgjë konkrete që do të kumtonim për opinionin, nëse ka diçka konkrete, do të informoheni në kohë, por që ka bisedime ka dhe të gjitha opsionet janë në tavolinë.

TV21: Me të gjitha partitë…?

– Po nuk do të hyja në detaje…” tha anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski.

Opozitarët thonë se zgjedhjet e 15 korrikut u mbajtën në atmosferë jodemokratike me blerje masive të votave nga ana e LSDM-së. Mickoski e konsideron VMRO-DPMNE-në fituese të zgjedhjeve, andaj edhe po sheh mundësi për formimin e qeverisë. Këtë Zaev e ka quajtur iluzion.

“Ky iluzion i DPMNE-së se kanë fituar zgjedhjet në të cilat kanë dy deputetë më pak se sa fituesi, deri mbrëmë ishte qesharake, sepse qytetarët mendonin se vetëm Micksoski mendon ashtu. Por pas qëndrimit të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ky iluzion i tyre me të vërtetë është shqetësues për partinë e tyre” ka deklaruar Zaev në intervistë.

Edhe në 2016-në Zaev nuk ishte fitues i zgjedhjeve, por erdhi në krye të qeverisë pasi BDI e prishi parimin “fituesi me fituesin”. Edhe kësaj here partitë shqiptare do të vendosin se kujt do t’ia japin çelësin e qeverisë, për shkak se Mickoski tashmë e ka hedhur poshtë idenë e shkëmbimit të deputetëve me Zaevin, që të mos i nënshtrohen kushtit të BDI-së për Kryeministër shqiptar.

Megjithatë për dallim nga 2016-ta, kampi shqiptar kësaj here ka konkurrencë të madhe brenda vetes, që ka shtuar opsionet për formim të qeverisë. Nëse BDI ka 15 mandate, koalicioni Aleanca-Alternativa ka 12, gjë që e ka bërë më të paparashikueshme përbërjen e ardhshme qeveritare. Nga BDI dje thanë se ende nuk kanë nisur bisedimet për koalicione, e kur të ketë, në fillim do të ulen me partitë shqiptare.

Zëdhënësi integrist për gazetën greke “Etnos” ka deklaruar se BDI do ta marrë mandatin për të formuar Qeveri, ndërsa do të vendosi edhe se cila parti do të marrë pjesë në koalicion. Nga ana tjetër koalicioni Aleanca-Alternativa janë shprehur se nuk duan që të jenë në të njëjtën qeveri me BDI-në. Partia “E majta” ka dy deputetë, ndërsa kryetari i saj ka thënë se nuk bën koalicion me LSDM-në. Nga PDSH-ja që ka një deputet ende nuk kanë dhënë qëndrim se cilin koalicion do ta mbështesnin./TV21