Zaev refuzon kërkesën e Mickoskit: S’ka nevojë për takim liderësh me njeri që s’ka qëndrim për asgjë

Advertisment

Kryeministri Zoran Zaev nuk sheh nevojë për takim me kreun e opozitës maqedonase Hristijan Mickoski për çështjen e historisë dhe gjuhës maqedonase, që po kontestohen nga Bullgaria. Në përgjigje për TV21 Zaev thotë se s’ka pse të ulet me dikë që nuk ka qëndrim për çështjet e rëndësishme.

“Nuk shoh nevojë për takim liderësh. Sidomos me një njeri që nuk ka qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme nacionale ose strategjike. Mickoski nuk është për marrëveshje për asnjë lloj teme, ai kërkon mënyrë vetëm se si ta dëmtojë shtetin, posaçërisht proceset që na çojnë drejt BE-së”, tha kryeministri Zaev.

Reklame

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Micskoski, dje tha se çështjet serioze, siç janë bisedimet me Bullgarinë, diskutohen në tavolinë në takim liderësh.

“Si VMRO-DPMNE ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë përkatës të ulemi në një takim liderësh dhe t’i diskutojnë të gjitha çështjet aktuale dhe të mëdha politike që duhet të përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve maqedonas dhe të Maqedonisë si shtet”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski shtoi se nuk beson që Bullgaria do ta bllokojë Maqedoninë në rrugën e saj evropiane.

E nëse Mickoski ka ende shpresa për këtë, deklaratat e fundit të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane kanë qenë skeptike. Zaev dhe Dimitrov kanë deklaruar se konferenca ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit e paraparë për në dhjetor edhe mund të mos ndodhë!

Zaev për TV21 sot gjithashtu tha se gjuha, identiteti dhe veçantia maqedonase janë të konfirmuara dhe njihen nga e gjithë bota. Me Bullgarinë, thotë Zaev, kemi marrëveshje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, i cili është nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase. Pret që në frymën e kësaj marrëveshjeje, të vazhdohet ndërtimi i marrëdhënieve, ndërsa për temat që dalin nga Marrëveshja qeveria shpreh vullnet t’i zgjidhë përmes punës së komisionit.