Zaev u dërgon apel kompanive që tua paguajnë K-15 të punësuarve të tyre

Advertisment

Kryeministri Zoran Zaev u dërgon apel kompanive që t’ua paguajnë K-15 të punësuarve të tyre. Duke theksuar se udhëheq Qeveri, fokusi i së cilës janë punëtorët, Zaevi tha se punëdhënësit duhet të kujdesen për të punësuarit, sepse ata janë kapitali më i rëndësishëm në shtet.

“Ligjet dhe vetë marrëveshjet kolektive rregullojnë se kur një kompani punon me humbje, atëherë ajo nuk e ka këtë për detyrë, por kemi kompani të cilat sivjet do të tregojnë humbje, por kanë përftim të mirë të akumuluar nga vitet paraprake ose kompani të cilat e dinë se humbja nga viti 2020 ka potencial serioz të mbulohet në 2021”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Reklame

Këto ditë edhe Sindikata e punëtorëve i rikujtoi pronarët e kompanive private se deri në fund të vitit duhet t’ua japin K-15 të punësuarve të tyre. Përmes një shkrese ata i paralajmëruan punëdhënësit të mos mendojnë ta shmangin këtë obligim ose të kërkojnë që punëtorët t’i kthejnë paratë e K-15, sepse siç thonë, në këtë rast punëdhënësi mund të dënohet edhe me burg prej një viti.

“Në qoftë se punëdhënësi ka implikime financiare, ka një Nen ku shkruan se duhet të thërritet Sindikata, pastaj punëdhënësi tregon se mbi bazë të dokumentit të lëshuar nga DAP-i apo institucionet e tjera, dëshmohet se me të vërtetë ka implikime financiare. Atëherë nënshkruhet marrëveshje me Sindikatën për vlerë më të ulët, por regresi patjetër duhet paguar”, tha kryetar i LSM-së, Darko Dimovski.

Nga LSM-ja u apelojnë punëtorëve të cilët nuk do ta marrin K-15, të kërkojnë ndihmë drejtpërdrejt në Sindikatë. Regresi për pushim vjetor paguhet një herë në vit, kurse shuma përcaktohet sipas pjesës kryesore e cila vlen në ditën e sjelljes së vendimit për pagesë./TV21