ZËDHËNËSI I EMISARIT GRENELL RIPËRSËRIT QËNDRIMIN PËR HEQJEN E TAKSËS

Advertisment

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë sqaruar nëse i kanë anuluar investimet në Kosovë, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe, siç kanë raportuar mediat lokale.

Dick Custin, zëdhënës i ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, ka thënë se “ambasadori Grenell u ka bërë të qartë liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë përfitimet e dëshiruara nga ndihma në ekonomi, nëse tarifat janë në fuqi”.

Reklame

“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë komunitetit të sektorit privat një mesazh të keq, se Kosova nuk është një vend në të cilën mund të zhvillohet një biznes”, ka thënë Custin për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Grenell, ka dëgjuar nga shumë pronarë biznesesh brenda Kosovës, përfshirë edhe disa kompani amerikane, të kenë thënë se tarifat po i dëmtojnë ato.

Shqetësimet për një tërheqje të investimeve të SHBA-së në Kosovë janë ngritur pas një postimi të ambasadorit Grenell në Twitter më 11 shkurt, në të cilin kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe në mënyrë, që siç thotë “të ketë investime”.

Qeveria e re e Kosovës, ka paralajmëruar zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar si do të zbatohet ky vendim.