Zemërgjerësia e Aliut për të varfërit, me vetëfinancim ushqen 20-30 familje në ditë (VIDEO)

Advertisment

Shkupjani Ali Fevzi është berber. Ai pothuajse çdo ditë zgjohet nga ora 7.30 e mëngjesit, shkon nëpër markete blen gjëra ushqimore me para të veta dhe furnizon familjet që kanë nevojë në këtë kohë krize.

Për shkak se sot do të ndihmoje një familje krishtere, bleu edhe vezë që të mund familja dhe fëmijët, t’i ngjyrosin për festën e Pashkëve.

Reklame

Ali Fevzi: Për shkak të festës së Pashkëve, çdo familje duhet të ketë të paktën vezë që t’i ziejnë dhe t’i ngjyrosin sepse ka njerëz që nuk mund të dalin tani.

Aliu gjatë një ditë ndihmon me ushqime 20 deri 30 familje me nevojë. Ai shton se në këtë iniciativë i ndihmojnë edhe njerëz bamirës të tjerë. Ai bën thirrje që secili që ka mundësi, në forma të ndryshme të ndihmojnë familjet e varfra.

“Gjëja më e rëndësishme në këtë dite krize është që të mos presim vetëm shteti të na ndihmojë, por mundemi që edhe vetë të vetëdijesohemi, të ndihmojmë pak edhe ne njëri-tjetrin, të shohim nëse fqiu është i uritur ose i sëmurë që ta ndihmojmë”, tha Ali Fevzi, bamirës.

Virusi thotë se të gjithë jemi njësoj pa dallim feje, kombi, të pasur ose të varfër.

“Tani askush nuk fotografohet nëpër restorante dhe kafene që të tregoje se çka po pi ose ha, tani në shtëpi askush nuk tregon se ha makarona ose vezë të fërguara. Edhe i pasuri tani rri në shtëpi dhe respekton rregullat”, tha Ali Fevzi, bamirës.

Aliu sot trokiti ne derën e një nënë, e cila është prind i vetëm dhe rrit dy vajza. Ajo para pandemisë punonte si pastruese, por tani për shkak të virusit nuk ka ku të pastrojë.

“Ndihma nga Aliu është gjithmonë e mirëseardhur. Me aq sa mundet mundohet, ju ndihmon njerëzve dhe edhe mua në këto kohë të vështira kur jemi në shtëpi me këtë gjendje me virusin. Jetojmë disi, por tani e kam të vështirë sepse jam vetëm në shtëpi me fëmijët“, tha Dijana Popova.

Ali Fevzi përveç ushqimeve shpërndan edhe veshmbathje. Ai këto ndihma mundohet që t’i shpërndaj sa më shpejt, para se të nisë ora policore.