Zeqirija Ibrahimi: Votuesi është i lirë në Tetovë dhe kudo të votoj për kë do

Sekretari për Marrëdhënie me Publikun i Alternativës Zeqirija Ibrahimi foli edhe për matematikat e partive politike për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Konkretisht për Tetovën, ai tha se votuesit e Alternativës janë të lirë të votojnë sipas bindjes së tyre, ndërsa deri tani nuk ka një vendim të përbashkët të koalicionit për përkrahjen e ndonjërit kandidat.

“Asnjë parti nuk i ka votuesit në shportë që shkon ia jep kandidatit tjetër. Bile më duket ofenduese të flasim ne se ne ia japim votat tona atij ose tjetrit. Aq më tepër dikush që nuk jeton në atë komunë të flasë në emër të njerëzve që aty jetojnë. Deri sot që po flasim nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të koalicionit tonë se çfarë do të mbështesim në rrethin e dytë.

Kjo vlen për të gjitha komunat, jo vetëm për Komunën e Tetovës. Qëndrimi deri tani është që ne nuk mund të marrim anë dhe tu themi votuesve shkoni andej ose këndej. Ata janë të lirë që ta shprehin vullnetin e tyre me bindjen e tyre, me gjykimin e tyre dhe sipas asaj që ata e ndjejnë se duhet të bëhet në komunën e tyre”, deklaroi Zeqirija Ibrahimi.