Zgjedhjet në Mal të Zi / KKD thirrje shqiptarëve për pjesmarrje në votime

Advertisment

Më 30 gusht Mali i Zi do ti drejtohet kutive të votimit. Këshilli Koordinues i Diasporës u ka bërë thirrje sot të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe ta votojnë Listën Shqiptare duke theksuar se kjo është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Europian

Pak ditë më parë kryetari i KKD, Mark Gjonaj tha se “Ky është një moment historik për shqiptarët në Mal të Zi, që edhe pse të ndarë tashmë në dy lista, të mund të votojnë shqip që të sigurojnë një përfaqësim më gjithëpërfshirës dhe të denjë të shqiptarëve në parlamentin e Malit të Zi”. Gjonaj me origjinë nga Mali i Zi tha se Diaspora shqiptare në SHBA e mbledhur rreth Koalicionit të organizatave shqiptaro-amerikane nga Mali i Zi, kanë këmbëngulur dhe bërë thirrje që i gjithë spektri politik shqiptar të bashkohet me qëllim unifikimin dhe përfaqësimin e përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të 30 gushtit.

Reklame

Teksti i plotë i thirrjes së KKD:

Këshilli Koordinues i Diasporës ndjek ngaherë me vëmendje të veçantë zhvillimet politike në hapësirën Shqiptare në Ballkan. Situata e jashtëzakonshme e pandemisë po krijon sfida të jashtëzakonshme politike dhe ekonomiko-sociale, pasojat e te cilave do ndjehen për shumë vite. Dy dekadat e fundit shqiptarët në Ballkan janë bërë faktor i rëndësishëm duke luajtur një rol politik të veçantë. Kjo pozitë mund të ruhet dhe forcohet vetëm përmes bashkëpunimit të shqiptarëve mes njeri-tjetrit me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre jetike dhe demokratike.

Zgjedhjet e 30 Gushtit në Mal të Zi janë të rëndësishme për forcimin e demokracisë dhe integrimit ne BE dhe njëkohësisht një sfide bashkëpunimi për Shqiptarët që jetojnë atje. Shqiptarët e Malit të zi përbëjnë rreth 5% të popullsisë, një ndër 5 grupet më të mëdha etnike në vend, por me një përfaqësim të dobët në parlamentin aktual. Që shqiptarët të jenë faktor dhe të mbrojnë interesat e tyre në institucionet malazeze, duhet të jenë të bashkuar dhe në rastin konkret të votojnë për listat e përbashkëta shqiptare.

Jemi të bindur se duke votuar për listat Shqiptare ata forcojnë pozitën e tyre, duke forcuar në të njëjtën kohë të ardhmen Europiane dhe pozitën e Malit te Zi në rajonin tonë.

Ju bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve në Ulqin, Plavë, Gucie, Tuz, Krajë të votojnë masivisht për përfaqësuesit e tyre shqiptarë, për të ardhmen e tyre.

Në këto çaste kritike le të kujtojmë fjalët e mençura të Shenjtores sonë kombëtare, Nënë Terezës:

“Unë mund të bëj gjëra që ti nuk i bën dot. Ti mund të bësh gjëra që unë nuk i bëj dot. Të bashkuar mund të bëjmë gjëra të mëdha”.