Ziadin Sela: Tentuan të na joshin me pushtet, por ne zgjodhëm popullin

Advertisment

Arsyeja pse votuesit shqiptar duhet të përcaktohen dhe të votojnë Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën dhe jo BDI-në, është se tani ka ardhur koha për ndryshim, kështu tha Ziadin Sela gjatë emisionit zgjedhor në TV 21. Ai tha se programi politike me të cilin ky koalicion garon në këto zgjedhje, është përpiluar së bashku me qytetarët gjatë takimeve që kanë realizuar që nga muaji nëntor e deri në shkurt.

“Ka pasur tendenca për të na joshur me pushtet dhe kur e pamë dhe gjithsecili joshej nga pushteti dhe populli do të ngelte pa opozitë, ne zgjodhëm opozitën. Dhe kur e pamë që ideja është për të na përulur, ne nuk do të pranojmë kurrë një gjë të tillë. Shpesh na kanë bërë shumë gjëra, por përsëri ato që kanë qenë në interes të qytetarëve i kemi përkrahur. Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime, status quo-ja është ajo që vret shpresë. Unë nuk besoj se BDI-ja ka menaxhuar mirë me votën që ka marrë vite nga ana e shqiptarëve, por edhe sikur të kishte menaxhuar mirë 18 vite janë shumë kohë”, deklaroi Sela.

Reklame

Duke folur për konceptin e LSDM-së “Shoqëri për të gjithë”, ai tha se ky koncept është manipulativ dhe ka për qëllim asimilimin politik të shqiptarëve.

“Shoqëri e përbashkët për të gjithë, është manipulative sepse, u tregua se po na vendon kufi çdo ditë. Ajo që u duhet qytetarëve është shteti të jetë për të gjithë. Kur them shteti; edhe gjyqësori, edhe financat edhe policia dhe gjithçka tjetër. Është koncept i rrejshëm që ka për qëllim t’i marr pushtetin politik shqiptarëve. Tani po bëhet shqetësuese, nuk do të ketë ndonjë efekt, sepse po merr përmasat e asimilimit politik të shqiptarëve. Këtë shqiptarët nuk do ta lejojnë dhe unë do ta luftoj deri në moment të fundit”, tha Sela gjatë këtij emisioni.

Ai ka premtuar se do të angazhohen që të rihapen të gjitha rastet e montuara gjyqësore nga ekspertë të huaj.

“Qeveria e ASh-AAA brenda 100 ditëve të para, do t’i drejtohet me kërkesë vendeve të BE-së, veçanërisht Gjermanisë, Francës dhe Holandës që të sjell ekspert, gjykatës dhe prokuror që të rihapin të gjitha lëndët në të cilat ka dyshime, ku ka procese të montuara do të rigjykohen, ku ka dyshime për korrupsion të lartë politik dhe që janë mbyllur, duhet patjetër të rihapen, sepse kështu ndërtohet shteti i së drejtës. Do të kërkojmë grupin e monitoruesve të gjykatësve dhe prokurorëve të cilët duhet të jenë të përhershëm për të monitoruar çdo seancë gjyqësore në gjykatën për krim të organizuar”, deklaroi kryetari i ASh-së.