Zvicrës së shpejti do t`i duhen 500 mijë punëtorë, kryesisht në “profesionet e grave”

75
#

Zvicra së shpejti do të ketë mungesë të madhe të fuqisë punëtore. Në 10 deri 20 vjetët e ardhshme ajo do të ketë nevojë për 300 deri në 500 mijë punëtorë të rinj, që nuk ka mundësi të rekrutohen në tregun vendor të punës. Këtë konstatim e ka arritur një studim i realizuar nga banka më e madhe e Zvicrës, UBS.

Studimi e shpjegon kështu këtë mungesë: në 10 deri 20 vjetët e ardhshme gjeneratat e lindura nga periudha “Baby boom” (vitet me natalitet më të lartë, 1945-1964), do të pensionohen. Pasi që gjatë kësaj kohe një numër dukshëm më i vogël i të rinjve do të mund të rekrutohet për punë, do të ndodhë një reduktim i fuqisë punëtore.

Ky boshllëk i krijuar nuk mund të plotësohet thjesht përmes migracionit, sepse kjo do të kërkonte që për çdo vit të sillen në tregun e këtushëm të punës nga 100 mijë punëtorë nga bota e jashtme. Diçka e tillë nuk mund, veç tjerash, të bëhet për shkak të rezistencës politike në vend. Për këtë arsye, sipas studimit, mosha e pensionimit duhet të bëhet më fleksibile dhe që të shfrytëzohet më mirë puna me orar të pjesshëm e grave. Deri tash, nevoja për fuqi plotësuese shtesë është përmbushur para së gjithash përmes migracionit.

Shtimi i nevojës për punëtorë të rinj është llogaritur mbi premisën e rritjes vjetore të numrit të të punësuarve në vend. Kjo rritje, që nga viti 1960 dhe deri tash, ka qenë 1%. Nga ana tjetër, ekonomia gjatë 15 vjetëve të fundit ka pasur nevojë për një rritje vjetore prej 1.3% të numrit të të punësuarve. Kjo e fundit sjell shifrën prej rreth 500 mijë vendeve të punës që pas 20 vjetësh do të mbeteshin të paplotësuara.